Arbëri

UP-ja detyrohet t’i largojë pajisjet që ia merrnin kundërligjshëm të dhënat biometrike stafit

Në mënyrë të jashtëligjshme Universiteti i Prishtinës ka regjistruar hyrjet dhe daljet e punëtorëve nga puna.

Përmes një pajisjeje të vendosur në të gjitha hyrjet e fakulteteve, është bërë evidentimi i stafit administrativ nëpërmjet regjistrimit të tipareve të fytyrës. E këtë e ndalon Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Agjencia për Informim dhe Privatësi e ka konstatuar shkeljen dhe i ka kërkuar Rektoratit që t’i shkatërrojë të dhënat e mbledhura deri më tash.

“Marrja e tipareve të fytyrës apo përpunimi i këtyre të dhënave është e dhënë biometrike dhe si e tillë është e ndaluar për hyrje-dalje. Të dhënat biometrike përdoren për rastet kur kemi të bëjmë me sigurinë e njerëzve, pronës apo edhe hapësirave ku ruhet informacioni i klasifikuar dhe sekretet biznesore. Gjithherë këto përdoren vetëm kur nuk ka mjete të tjera më të lehta për ruajtjen e këtyre njerëzve, pasurisë apo edhe informacionit të klasifikuar”, ka deklaruar Krenare Sogojeva Dermaku, komisionare në AIP.

Rektorati nuk ka pasur të drejtë ankese ndaj vendimit. Prandaj, këto pajisje që UP-së i kushtuan rreth 33 mijë euro, janë vënë jashtë përdorimit.

“Kemi filluar me zbatimin e vendimit. Do të fillohet me zgjidhje alternative me kartela. Vendimi po respektohet patjetër, ndërsa Agjencinë për Informim dhe Privatësi do ta njoftojmë për masat e ndërmarra”, tha Besfort Krasniqi, ushtrues detyre i sekretarit të Përgjithshëm i UP-së.

Për ta treguar prezencën e tyre në fakultete, që nga e hëna stafi administrativ në të gjitha fakultetet e dëshmon hyrjen dhe daljen përmes nënshkrimit në lista. UP-ja ua kishte marrë atyre karakteristikat biometrike, pa marrë autorizimin nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.