Pasditen e së dielës janë përmbyllur diskutimet e Forumit dyditor për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Edicioni i parë i tij solli në Kosovë qindra pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës. Në diskutimet e bëra të dielën, u adresuan vështirësitë me të cilat përballen institucionet në procesin e ballafaqimit me të kaluarën e dënimin e personave që kanë kryer krime luftë në Kosovë.
Misionet e UNMIKU-ut dhe të EULEX-it janë kritikuar se nuk kanë punuar sa duhet në trajtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Shefja e Departamentit për krime lufte, prokurorja Drita Hajdari, ka thënë se punën e tyre në këtë drejtim e ka vështirësuar fakti se në fillim vendësit nuk janë lejuar të merren me këto çështje.
“Kanë bërë shume pak, fatkeqësisht shumë pak dhe përkundër mundësive të cilat i kishin si dy misione të fuqishme për sundimin e ligjit, në këtë fushë një numër i madh i lëndëve ka mbetur pas përfundimit të misionit të EULEX-it, që janë diku 900 lëndë dhe rreth 2 mijë dosje për të zhdukurit. Kjo ishte një barrë e paparë në Prokurorinë e Kosovës, në situatë kur nuk kishim prokurorë të mjaftueshëm, për me i caktu për procesimin e këtyre rasteve”, ka thënë Hajdari.
Duke folur për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Hajdari ka thënë se nuk janë të kënaqur me raportimin nga ana e tyre. Sipas saj, sfidë mbetet edhe identifikimi i kryerësve të krimeve.
Mësim nga praktikat që kanë ndjekur Kosova dhe shtetet e rajonit, si dhe gabimet që kanë bërë, thonë se është duke marrë Ukraina.
Deputetja ukrainase, Yevheniia Kravchuk, ka bërë të ditur se kanë themeluar komision special brenda kuvendit që merret me trajtimin e dhunës seksuale gjatë konfliktit.
“Gjatë qëndrimit tim të shkurtër këtu e kam kuptuar se kemi bërë shumë mirë që kemi nisur të mbledhim dëshmi shumë herët, qysh prej fillimit, po ashtu, edhe me ndihmën e kolonelëve, të prokurorëve tanë, policisë”, ka thënë ajo.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se përfaqësimi i gruas në procesin e ballafaqimit me të kaluarën është qenësor.
“Konsideroj se një qasje gjithëpërfshirëse në adresimin e së kaluarës është e pamundur pa përfaqësimin e gruas dhe pjesëmarrjen e saj aktive jo vetëm në hartimin e politikave e mekanizmave të duhur për sjellën e drejtësisë në vend, por edhe në implementimin e tyre, sepse në fakt kjo është pjesa më e rëndësishme”, ka thënë Haxhiu.
Dita e dytë e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është hapur nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Shefja e diplomacisë kosovare fokusoi adresimin e saj në vlerësimin e veprës së ish-sekretares amerikane Madeleine Albright, së cilës i është dedikuar edicioni i parë i këtij forumi.
“Ajo ishte çelësi për t'i dhënë fund një lufte dhe gjenocidi. Ajo mund ta bënte këtë për shkak të kapacitetit të saj strategjik, qëndrimit të qartë ndaj vlerave, energjisë së saj personale dhe aftësisë për t’i bindur njerëzit. Ajo ishte që i bindi Shtetet e Bashkuara dhe Komunitetin Ndërkombëtar, jo vetëm që të qëndronin në gatishmëri, por edhe të vepronin”, ka thënë Gërvalla.
Rëndësinë e përfshirjes së grave në proceset vendimmarrëse e potencoi edhe ish-presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.
“Është dëshmuar se gratë kur janë të përfshira në procese paqësore ato kanë mundësi që të kenë më shumë sukses. Për këtë duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes, duhet të jenë pjesë në proceset politike dhe duhet të jenë pjesë të vendimmarrjes në pajtim”, është shprehur ajo.
Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në Prishtinë, për dy ditë me radhë, ka mbledhur qindra pjesëmarrës nga 33 shtete të botës.