Arbëri

UNDP mbështetë Gjykatën Themelore në Mitrovicë me dhjetë përkthyes

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) nënshkroi sot një marrëveshje për të mbështetur Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Marrëveshja u nënshkrua nga përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, znj. Alessandra Roccasalvo dhe zëvendëskryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, z. Ali Kutllovci.

Aktualisht, Gjykata Themelore e Mitrovicës ka më shumë se 10.000 raste gjyqësore urgjente dhe shumica e lënëve duhet të jenë në dispozicion në të dy gjuhët zyrtare, shqip dhe serbisht. UNDP do të ndihmojë Gjykatën të zvogëlojë numrin e rasteve të mbetura, duke angazhuar dhjetë përkthyes, të cilët do të përkthejnë drejtpërdrejt në seancat gjyqësore si dhe do të bëjnë përkthimin e shkresave të lëndëve me shkrim. Iniciativa do të kontribuojë në zbatimin e ligjit për gjuhët zyrtare dhe në përmirësimin e qasjes me kohë të drejtësisë për të gjithë.

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, znj. Alessandra Roccasalvo, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes tha se Identiteti i gjuhës është një e drejtë njerëzore siç përcaktohet në nenin 22 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Jemi të lumtur që mbështetja jonë do të kontribuojë në përmirësimin e efikasitetit të gjykatës dhe në përmirësimin e qasjes në drejtësi për të gjithë. Marrëveshja e sotme është pjesë e punës më të gjerë të UNDP-së në fushën e Sundimit të Ligjit dhe shpresojmë të vazhdojmë me mbështetjen tonë për institucionet e Kosovës në këtë fushë.

Zëvendëskryetari i gjykatës z. Ali Kutllovci, i cili nënshkroi marrëveshjen në emër të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, falënderoi UNDP-në për mbështetje të vazhdueshme të Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Aktualisht, më shumë se 40 gjyqtarë punojnë në këtë gjykatë dhe ndihma përmes përkthimit është me rëndësi të madhe për të siguruar qasje në procedurat gjyqësore në gjuhën shqipe dhe serbe duke përmbushur detyrimet kushtetuese dhe të të drejtave të njeriut.

Ky bashkëpunim është pjesë e punës më të gjerë të UNDP për sundimin e ligjit dhe qasjen në drejtësi me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë Norvegjeze dhe fondeve të mirëbesimit të UNDP-së.