Arbëri

Mbi 1.500 lëndë për një prokuror në Mitrovicë, kërkohet reagim i KPK-së

Që prej dorëheqjes së prokurorëve serbë në veri, nëntorin e vitit 2022, prokurorët në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë përballen me ngarkesë lëndësh. Secili prej katër prokurorëve në këtë instancë ka nga 1 mijë e 500 lëndë në trajtim. E Këshilli Prokurorial i Kosovës është kritikuar për mosadministrim të mirë të lëndëve të mbetura nga prokurorët e dorëhequr

Mbi 1 mijë e 500 është numri i lëndëve me të cilat është i ngarkuar secili prej katër prokurorëve të Departamentit të Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Nga 500 i kanë në trajtim edhe katër prokurorët e tjerë, tre prej të cilëve janë në Departamentin për Krime të Rënda e një në atë për të Mitur.

Ngarkesa me lëndë, atyre u është shtuar pas dorëheqjes së kolegëve të komunitetit serb, nga të cilët i trashëguan mbi 5 mijë e 300 lëndë.

Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë thonë se shpërndarja e lëndëve të prokurorëve të dorëhequr ka ndikuar në trajtimin e tyre.

“Ka ngarkesë me lëndë, aktualisht janë vetëm tetë prokurorë (tre prokurorë në Departamentin për Krime të Rënda, një prokuror në Departamentin për të Mitur dhe katër prokurorë në Departamentin e Përgjithshëm, prej të cilëve një me mandat fillestar). Deri në fund të muajit janar 2024, janë gjithsej 10,824 lëndë të të gjitha regjistrave. Gjatë vitit të kaluar janë zgjidhur gjithsej 1,735 lëndë. Në Departamentin për Krime të Rënda, secili prokuror është i ngarkuar me mbi 500 lëndë, ndërkaq në Departamentin e Përgjithshëm me mbi 1,500 lëndë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Mitrovicë.

Nëntorin e 2022-s, nga detyra janë dorëhequr 10 prokurorë e 22 zyrtarë të stafit administrativ.

Kjo, sipas KPK-së, ka ndikuar që situata në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të vështirësohet dukshëm. Për këtë, në këtë instancë paralajmëruar transferime të tjera të prokurorëve në Mitrovicë.

“Për ta menaxhuar situatën e pafavorshme dhe për të mbuluar nevojat, KPK-ja fillimisht ka marrë vendim për transferimin e përkohshëm të tre (3) prokurorëve nga prokuroritë e tjera në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës dhe ka bërë shpalljen e brendshme për transferimin e përhershëm të dy (2) prokurorëve në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj prokurorie, kurse një numër të konsiderueshëm të lëndëve të rasteve të ndryshme që ishin në kompetencë të kësaj prokurorie janë shpërndarë nëpër prokuroritë e tjera të vendit dhe janë duke u trajtuar. Gjithashtu, KPK-ja është duke shqyrtuar mundësitë për transferime të tjera në këtë prokurori”, thuhet në sqarimin e KPK-së.

Por këto veprime nuk i kanë konsideruar të mjaftueshme në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Lavdim Makshana, hulumtues në këtë institut, thotë se shkaku i mosadministrimit të duhur nga KPK-ja, ka rrezik për parashkrim të lëndëve dhe kthimit të tyre në pikën zero.

“Nuk mundet të fajësojmë një prokuror që nuk po mundet t’i kryejë 1500 lëndë për shkak se Këshilli Prokurorial nuk po i merr veprimet e duhura që të dërgojë prokurorë aty dhe të ndajë lëndët në mënyrë proporcionale, që secilit prokuror t’i bjerë më pak në krahasim me numrin që e kanë tash”, ka deklaruar Makshana.

Ngarkesë me lëndë, shkaku i dorëheqjeve të një viti e gjysmë më parë në veri, ka edhe në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Aty, 22 gjyqtarët e angazhuar aktualisht i trashëguan mbi 6 mijë e 272 lëndë.

“Sa i përket ngarkesës së gjyqtarëve me lëndë, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka gjithsej në punë 12 mijë e 703 lëndë, dega Leposaviq gjithsej 507 lëndë dhe Zubin-Potok 77 lëndë”, ka bërë të ditur Gjykata.

Nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe degët e saj, nëntorin e 2022-s janë dorëhequr gjithsej 130 gjyqtarë e pjesëtarë të stafit përcjellës. Vendimi për dorëheqjen e prokurorëve, gjyqtarëve, policëve e zyrtarëve të tjerë serbë nga institucionet e Kosovës u mor në kundërshtim me vendimin e Qeverisë për konvertimin e targave në RKS.

Lidhur me miratimin apo jo të dorëheqjeve të zyrtarëve serbe, ende nuk ka një vendim nga Këshilli Prokurorial dhe as nga ai Gjyqësor.