Kryetari i Ulqinit Nazif Cungu, i cili udhëhoqi delegacionin nga Ulqini në Prishtinë, u bëri ftesë qytetarëve të Kosovës që edhe këtë verë të vizitojnë qytetin e Ulqinit, ashtu siç kanë ardhur ndër vite.
Ai paralajmëroi aktivitete të shumta kulturore me rastin e hapjes se sezonit turistik, por u ndal dhe foli edhe për përgatitjet që ka bërë komuna për një sezon të suksesshëm.
“Edhe këtë vit ne dëshirojmë që sezonin turistik ta hapim me turistët nga Kosova. Për Festat e 1 Majit kemi përgatitur një program të larmishëm, i cili do të zgjasë 7 ditë. Sa i përket çmimeve ato do të jenë të përshtatshme për të gjithë. Çmimi i akomodimit do të jetë nga 7-70 Euro, varësisht nga kërkesa e tyre. Oferta këtë vit do të jetë shumë më e begatshme sepse edhe përgatitjet i kemi bërë me kohë. Do t’i kushtojmë rëndësi edhe zgjidhjes së problemit të pritjeve të gjata në kufirin Sukobinë–Muriqan, dhe insistojmë të ketë vetëm një pikë kontrolli. Për këtë çështje na është premtuar zgjidhje edhe në takimin e fundit që kemi pasur me Kryeministrin e Malit të Zi”, shprehet Cungu për TRT në Shqip.
Panairi i Prishtinës cilësohet si aktiviteti më i rëndësishëm për promovimin e turizmit të vendit dhe të rajonit. Edhe këtë vit në të u prezantuan agjencitë kombëtare të turizmit nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe më gjerë.
Për qytetin e Ulqinit tregu i Kosovës mbetet një nga tregjet më të rëndësishme, prandaj çdo vit Komuna e Ulqinit dhe organizata turistike prezantohen në këtë panair mënyre dinjitoze. Kështu ishte dhe në Panairin e këtij viti, ku strukturat më të larta komunale, organizata turistike, pronarët e plazheve, ata të agjencive turistike, afaristë dhe punëtorë të kulturës promovuan turizmin e Ulqinit, eksplorimet e pasurive të shumta natyrore dhe kulturore si dhe shijimin e gatimeve dhe specialiteteve që ofrojnë hotelet dhe restorantet e shumta.
-
Mali i Zi premton çmime të lira për pushuesit kosovarë
-
Krerët e Ulqinit paralajmërojnë lehtësime për turistët nga Kosova
-
Ulqini pret kosovarët, premtohet zbritje prej 20 për qind
-
Ulqini sivjet ofron më shumë por çmimet mbesin të njëjta, thotë Gjeka
-
Ulqini pret që kosovarët të mos e lënë për plazhet e Evropës