Arbëri

Ulja e angazhimit amerikan, rrezik për demokracitë në Ballkan

Ulja e angazhimit amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor nënkupton rritjen e ndikimeve të tjera keqdashëse, kanë thënë njohës të zhvillimeve. Për ekspertin amerikan të çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, Rusia do të jetë kërcënuesi kryesor i çdo vendimi të SHBA-së për të shkurtuar ndihmat për avancimin e demokracive në rajonin e Ballkanit Perëndimor

Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer, ka vlerësuar se ndalja e ndihmave amerikane për rajonin do të krijojë terren për përfshirje të aktorëve jodemokratikë. 

Në rastin e Kosovës dhe të Ballkanit në përgjithësi, Serwer rrezikun më të madh e sheh nga tentativa e Rusisë për të nxitur destabilizim. 

Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump ka marrë vendim për ngrirjen e menjëhershme të të gjithë ndihmave të huaja për afat 90 ditë, përveç ndihmës urgjente ushqimore dhe ndihmës ushtarake për Izraelin dhe Egjiptin.

“Nëse vendimi mbetet, nuk do të jetë mirë. Sigurisht, rusët nuk po e ndërpresin ndihmën e tyre për armiqtë e demokracisë në institucione, shoqëri civile dhe media. Do të doja t'i shihja avokatët e demokracisë të mbijetonin nga financimi vendor dhe jo me ndihmën e huaj, por ajo ditë nuk ka ardhur ende”, ka thënë Serwer për KOHËN. 

Në këtë situatë Serwer shton se shpresa mbetet tek Bashkimi Evropian (BE) për t’i shmangur ndërhyrjet nga vendet dashakëqija. 

“Shpresoj se BE-ja do të përpiqet, por Rusia do të jetë përfituesi kryesor i çdo vendimi të SHBA-së për të shkurtuar ndihmat për demokracitë. Turqit dhe kinezët mund të përpiqen të përfitojnë gjithashtu, por krahasuar me rusët unë jam shumë më pak i shqetësuar për ta. Moska e ka bërë të qartë se do të donte ta destabilizonte demokratizimin e Ballkanit. Ky do të jetë rreziku kryesor”, ka potencuar ai. 

Fondet nga SHBA-ja në Kosovë kanë ardhur kryesisht nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. Ato përfshijnë donacione për të mbështetur sistemin gjyqësor, transparencën dhe llogaridhënien qeveritare, si dhe përmirësimin e tregut të energjisë. 

Departamenti amerikan i Shtetit, nëpërmjet një deklarate të hënën, ka njoftuar për rishikimin e aktiviteteve të USAID-it. 

“Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është larguar prej kohësh nga misioni i saj fillestar për t’i avancuar me përgjegjësi interesat amerikane jashtë vendit dhe tani është plotësisht e qartë se pjesë të konsiderueshme të financimit të USAID-it nuk janë në përputhje me interesat thelbësore kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Sekretari Rubio po ashtu e ka njoftuar Kongresin se po kryhet një rishikim i aktiviteteve të ndihmës së huaj, me synim të një riorganizimi të mundshëm”, thuhet në deklaratën e DASH-it.

Analisti i politikave, Agron Demi, tek i është referuar uebfaqes që e evidenton ndihmën e huaj amerikane për secilin shtet nga viti 2001 e deri më 2024, ka shkruar të martën se Kosova ka përfituar 1.96 miliardë dollarë ndihmë nga USAID-i dhe nga agjencitë e tjera amerikane. 

“Kosova është një ndër 15 vendet që kanë përfituar më së shumti në botë, kurse shuma më e madhe e këtyre fondeve ka shkuar për përmirësimin e qeverisjes dhe zhvillimin e sektorit privat”, ka shkruar ai në rrjete sociale. 

Sipas Institutit GAP, urdhri i presidentit amerikan për ndalimin e përkohshëm të ndihmës së huaj për 90 ditë në Kosovë ka ndikim te rreth 17 projekte aktive të financuara nga USAID-i që japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit. Vlera e projekteve aktive të USAID-it deri në janar të këtij viti, sipas GAP-it, është mbi 144 milionë euro. 

“Disa prej tyre kanë filluar që para pandemisë dhe shumica prej tyre zbatohen nga kompani amerikane e disa më të vogla nga organizata vendore. Përfituesit kryesorë përfshijnë institucione publike si komunat, ministritë, agjencitë e pavarura, universitetet, gjykatat e po ashtu mediat, sektorin privat dhe organizatat e shoqërisë civile”, thuhet në një njoftim të GAP-it. 

Shqetësime për ndikimin që e ka ndërprerja e fondeve amerikane në pjesë të ndryshme të botës kanë shprehur edhe analistë ndërkombëtarë. 

Alexandra Hall, një ish-diplomate britanike e cila ka punuar edhe në Departamentin amerikan shtetit, në një shkrim për “Byline Times”, me titull: “Ngrirja vetëshkatërruese e ndihmës së huaj nga Donald Trump do t'i ndihmojë vetëm armiqtë e Amerikës”, ka theksuar se kur drejtohet mirë, ndihma hap dyer dhe ndërton partneritete të vlefshme me vendet anembanë botës. 

“Ajo (ndihma v.j.) e rrit sigurinë tonë duke forcuar aleancat ushtarake, duke forcuar qëndrueshmërinë e vendeve kundër agresorëve dhe duke zbutur efektet e konflikteve ose ngjarjeve të tjera shkatërruese, të tilla si fatkeqësitë natyrore. Ai e avancon prosperitetin kombëtar, duke ndihmuar vendet të zhvillohen në partnerë të qëndrueshëm tregtarë dhe investime. Ajo kontribuon në bërjen e botës në përgjithësi një vend më të sigurt dhe më të mirë për të jetuar, duke promovuar qeverisje demokratike dhe të përgjegjshme, respektimin e një sistemi ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe bashkëpunim më të mirë ndërkombëtar për sfidat globale si pandemitë, krimi i organizuar, trafikimi i drogës, terrorizmi dhe përhapja bërthamore”, ka shkruar ajo. 

Në mesin e projekteve të mëdha të pezulluara janë edhe programet e SHBA-së kundër terrorizmit në vendet e treta; programet e financimit ushtarak në Ukrainë, në Jordani dhe në Tajvan; programet e malaries dhe HIV-it në Afrikë; mbështetja për refugjatët; të gjitha aktivitetet e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, duke përfshirë mbështetjen për aktivistët që luftojnë për të drejtat e tyre, ose në disa raste për jetën e tyre, në vendet autoritare; si dhe nisma globale për të luftuar krimin e organizuar. 

“Nuk është ekzagjerim të thuhet se miliona jetë në mbarë botën do të dëmtohen gjatë kësaj pauze”, ka shkruar Hall.

Mediat në SHBA kanë raportuar ditëve të fundit se administrata e Trumpit synon ta mbyllë USAID-in në kuadër të masave për shkurtime të shpenzimeve qeveritare. Në organizata humanitare ndërkombëtare kanë paralajmëruar se një vendim i tillë mund të ketë pasoja katastrofike. 
Në krye të nismës për mbylljen e USAID-it është Elon Musku, i emëruari i Trumpit për ulje të shpenzimeve qeveritare. Ai të dielën e ka cilësuar “organizatë kriminale” Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar, tek ka shtuar se USAID-i i përdor taksat e amerikanëve për të kryer kërkime mbi armët biologjike.

“A e dini se USAID-i, duke shfrytëzuar taksat tuaja, financoi për kërkime në armë biologjike, përfshirë COVID-19, që vrau miliona njerëz... USAID-i është organizatë kriminale”, ka deklaruar ai.

Kongresistët demokratë i kanë kundërshtuar “sulmet” që administrata e Donald Trumpit po ia bën organizatës USAID. Ata të hënën kanë hyrë në ndërtesën e kësaj organizate, duke thënë se ngrirja e ndihmave të SHBA-së e kërcënon sigurinë e shtetit.

Përfaqësuesi i Marylandit, Johnny Olszewski, ka thënë se Trumpi po ua liron terrenin për të manovruar vendeve si Kina.

“Kjo është jeta reale. Është e rrezikshme dhe serioze”, ka deklaruar ai, tek ka shtuar se demokratët do të bëjnë gjithçka për ta mbrojtur USAID-in. 

Demokratët kanë theksuar se USAID-i është themeluar nga Kongresi dhe se presidenti Trump nuk mund ta shfuqizojë apo ta shpërbëjë pa miratimin e Kongresit.