Një nga pesë kosovarët që u evakuuan nga Afganistani për në Kosovë për shkak të marrjes së kontrollit të vendit nga talebanët, Blerat Ukaj, ka treguar situatën kur talebanët morën kontrollin e Kabulit e që edhe vetë po qëndronte në një hotel atje.
Në Interaktiv të KOHËS Ukaj tregoi se si u gjendën të rrethuar brenda hotelit ku po qëndronin, e pa asnjë zgjidhje.
“Ne e diskutonim se si do ta ndihmojmë, por nuk e dinim se vetëm orët ishin në pyetje dhe gjithçka u përmbys dhe u kthye 180 shkallë ndryshe. Në këtë fazë kishim mjete të blinduara të rrethuara te hoteli ynë ku ishim dhe grupe të armatosura”, tregoi ai.
Ukaj thotë se mjetet e blinduara ishin të forcave talebane që veçse kishin marrë kontrollin mbi qytetin. Ndërsa tregon se njerëz të armatosur të panjohur ishin futur brenda hotelit, e që nuk ishte e sigurt nëse ishin talebanë. Ka thënë tutje se këta persona kishin bllokuar portën e hotelit dhe ata që qëndronin në hotel kishin mbetur të ngujuar brenda.
“E kishin bllokuar portën tonë, që ne të mos mund të lëviznim dhe këtu kishin filluar grupe të ndryshme të armatosura të hynin në hotelin tonë. Kjo ishte dita kritike (15 gusht) ku të gjitha, edhe planet që i kishim të evakuimit që ishte për t'u larguar me helikopter në Pakistan, apo plane të tjera, të gjitha u përmbysën dhe nuk kishte më kohë për asgjë”.
“Forcat talebane kanë qenë jashtë hotelit dhe e kanë bllokuar hyrjen e hotelit, ndërkohë që brenda hotelit kemi parë grupe të armatosura të cilat nuk e dimë se çfarë kanë qenë. Në fillim është dukur se janë pjesëtarë shtesë të sigurimit afgan, të cilët ishin në linjën e parë, por siç duket aty kishte edhe njerëz të tjerë që nuk njiheshin fare se kush ishin. Jeta jonë ishte shumë në rrezik në këto momente. Kur dal në perimetrin e dytë të sigurisë së hotelit, shoh edhe më shumë pjesëtarë të armatosur që kurrë nuk i kishim parë, nuk dihej se çfarë ishin, nuk mund të them se ishin talebanë por mund të them se ndoshta ishin kjo pjesa ndoshta e hajdutëve që po kërkonin për para. Kur i shoh ata, marr të shkoj nga porta dhe kërkoj të më hapet porta kryesore. Në fillim hezitojnë, por pastaj e hapin dhe bashkë me kolegun tim afgan dalim. Këtu u ndeshëm me një pamje drithëruese, dëshpëruese, të dhimbshme. Më e dhimbshme ishte ajo se kur shoh të rinj të armatosur, ishte skenë e dhimbshme”, ka treguar Ukaj.
-
Rrëfimi i Blerat Ukajt për tmerrin e përjetuar në Kabul
-
Fundi i Afganistanit që njihja
-
Kaos nga përpjekjet për të ikur, shtatë të vdekur në aeroportin e Kabulit
-
Ikja për një jetë më të mirë, afganët përsëri e gjejnë veten pa rrugëdalje
-
Gratë udhëheqëse të OKB-së takohen me talebanët për ndalimin e punonjësve të ndihmës