Njohësi i zhvillimeve politike, Emrush Ujkani, thotë se pushtetet në Kosovë janë të ndara dhe legjislativi i vendit duhet ta zgjidhë vet situatën, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët, për të hapur rrugë krijimit të Qeverisë së re.
“Vetëm Kuvendi mund ta zgjidhë (situatën), në aspektin edhe kushtetues, problemin. Deputetët kanë mandatin e popullit dhe ata janë sovrani, sepse askush nuk mund t’i zëvendësojë ata në detyrë, për faktin se ata janë zgjedhur nga populli. Natyrisht që roli i Presidentit në këtë drejtim do të mund të ndihmonte, për do të ishte një rol më tepër për të shtendosur raportet ndërmjet partive politike. Por, assesi të ndikonte dhe nuk mund të ndikojë në punën e Kuvendit për të marrë kahe të njëanshme”.
Ujkani thekson se roli i Presidenti nënkupton ruajtjen e unitetit të popullit. Por, sipas tij, një pjesë e opozitës së deridjeshme në vend e konteston pozitën e tij dhe rrjedhimisht edhe rolin eventual të tij për gjetjen e një zgjidhje për të dalë nga kriza politike. Megjithatë, siç thotë ai, Presidenti i vendit duhet ta kryej obligimin e tij dhe t’i ftojë partitë politike për konsultime, shkruan rel.
“Është në mandatin e Presidentit që ai ta bëj një veprim të tillë, të iniciojë konsultime të tilla dhe kështu me radhë. Tani, a ka bërë sa duhet dhe a duhet të bëj më tepër? Përjashto faktin që një pjesë e opozitës e konteston figurën e zotit Thaçi si president, megjithatë, unë mendoj që ai duhet të bëj edhe më tepër përpjekje, me të cilat do ta ushtrojë funksionin e vet dhe në njëfarë forme të provojë që vendit t’ia japë një zgjidhje ose që partitë politike të binden që të mos e mbajnë peng vendin”.
Kriza politike, e cila është produkt i mospërfundimit të procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, sipas njohësve të Kushtetutës së Kosovës, nuk ka ndonjë zgjidhje kushtetuese.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i gushtit të vitit 2014, i jep të drejtën subjektit politik apo koalicionit parazgjedhore , i cili merr numrin më të madh të ulëse në Kuvend, që ta propozojë kryetarin e legjislativit. Në rastin e tanishëm, propozimin duhet ta bëj koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Deri më tash, koalicioni PAN nuk ka propozuar një kandidat për kryetar të Kuvendit.