Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, ka shprehur pakënaqësitë e qytetarëve ndaj kompanisë energjetike “Elektrosever”, duke e akuzuar atë se nuk po i përmbush obligimet e marra me marrëveshje.
Sipas tij, qytetarët dhe bizneset janë të mbingarkuar me fatura të larta, ndërsa kompania nuk po tregon transparencë.
“Elektrosever nuk iu përmbajt marrëveshjeve me përfaqësuesit e lagjeve. Janë pesë mijë ankesa për paralajmërimet për shkyçje për mospagesë, prej të cilave 4200 janë nga serbët”, ka thënë Uglanin në “60 Minuta” të KTV-së..
Ai shtoi se faturat shpërndahen vetëm një herë në shtatë-tetë muaj, gjë që i bën shumë të larta për konsumatorët, ndërsa mungon ndarja e tarifës ditore e natës si në pjesët tjera të Kosovës.
“Nuk ekziston programimi për rrymën e lirë dhe të shtrenjtë. Ka pakënaqësi të mëdha nga qytetarët. Ne jemi të gatshëm të paguajmë energjinë, por ‘Elektroseveri’ duhet të jetë më transparente. Nuk ka njoftime, nuk ka bisedime dhe nuk marrin pjesë në takimet e Kuvendit Komunal. Duhet të veprojë qeveria. Nuk e dimë çfarë marrëveshje ka Elektroseveri me institucionet tona”, theksoi ai.
Qytetarët e veriut të Kosovës nuk kishin paguar për energjinë elektrike që nga viti 1999. Për vite me radhë, këto borxhe u mbuluan nga konsumatorët në pjesët tjera të Kosovës, më pas nga KOSTT-i dhe nga grante të Qeverisë së Kosovës.
Në vitin 2023, ZRRE-ja vendosi ta lirojë KOSTT-in nga ky obligim, pasi në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, kompania “Elektrosever” mori përsipër furnizimin dhe faturimin e konsumatorëve në veri.
“Elektrosever”, e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës, është në pronësi të Elektroprivreda Srbije (EPS). Kompania nisi shpërndarjen e faturave në fillim të vitit 2024.