Arbëri

Uebfaqet e komunave jashtë funksionit, kërkojnë ndihmë nga Qeveria

Ndertesa e Komunes se Prishtines

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë të ditur se uebfaqet e komunave janë tërësisht jashtë funksionit tash e disa ditë, ndërsa kanë kërkuar ndihmë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit për ta tejkaluar këtë situatë.

Sipas njoftimit të AKK-së, komunat kanë pasur vazhdimisht probleme në funksionimin e uebfaqeve.

Zyrtarët komunalë thonë se kjo po ndodh kryesisht për shkak të problemeve apo ngarkesave në serverat që mirëmbahen uebfaqet e komunave dhe të problemeve të natyrës së tillë, e të cilat siç thonë ata, janë tërësisht në nivelin qendror.

AKK-ja në njoftim thekson se problemet me uebfaqe po kanë efekt edhe në afate ligjore të komunave në shumë procese.

“Pastaj qytetarët po ankohen për mungesë transparencë dhe kështu ky problem është bërë pengesë e jashtëzakonshme në kryerjen e punëve ditore të Komunave të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

AKK-ja ka thënë se ka dërguar disa kërkesa në MAPL, por që nuk ka pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

“Duhet ritheksuar se kjo gjë ndëshkon komunat sidomos gjatë procesit të vlerësimit të transparencës, gjatë vlerësimit të performancës komunale, në procesin e publikimit të dokumenteve për konsultimet me publikun, sepse dihet që shumica e dokumenteve kanë afat kohor të caktuar të publikimit. Dhe këto ndëshkime pastaj bëhen tërësisht pa fajin e komunave dhe zyrtarëve të ngarkuar për këto çështje”, vijon reagimi i tyre.

AKK-ja ka kërkuar në fund që kjo çështje të merret seriozisht nga institucionet e nivelit qendror që janë përgjegjëse për këtë fushë.