Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka lansuar udhëzuesit antikorrupsion për mësimdhënës dhe nxënës për klasën e gjashtë.
Udhëzuesit përmbajnë këshilla për të integruar temat antikorrupsion në tri lëndët e përzgjedhura histori, edukatë qytetare dhe gjuhë.
Menaxheri i projektit UNDP, Albert Avdiu, tha se kjo nismë bazohet në gjetjet dhe rekomandimet kryesore të vlerësimit të rreziqeve të korrupsionit në sektorin e arsimit të vitit 2015, me qëllim të përfshirjes së arsimit antikorrupsion në shkolla, si pjesë e përpjekjeve të përgjithshme të parandalimit të korrupsionit, transmeton kp.
Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci, tha se MASHT është i përkushtuar për të punuar në drejtim të përgatitjes së materialeve të ngjashme të cilat bëjnë përgatitjen e nxënësve apo orientojnë nxënësit dhe i mbushin ata me njohuri për fenomenet korruptive.
Ai tha se efektet që mund të japin udhëzuesit të cilët janë përgatitur nga mësimdhënësit dhe UNDP janë efekte që përgatisin nxënësit dhe parandalojnë korrupsionin.