Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile “Bashkë kundër Korrupsionit” edhe këtë vit do ta organizojnë “Javën Kundër Korrupsion 5- 9 dhjetor 2022”.
Në njoftimin për media të Koalicionit të OJQ-ve, thuhet se gjatë kësaj Jave është planifikuar të realizohen aktivitete të ndryshme.
“Për shënimin e kësaj Jave, Koalicioni i OJQ-ve ka planifikuar që të ketë të ftuar të gjithë akterët vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë, me qëllim të sensibilizimit në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies sa i përket luftës kundër korrupsionit. Në kuadër të aktiviteteve gjatë kësaj jave do të trajtohet korrupsioni, integriteti, llogaridhënia, transparenca etj”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 5-9 dhjetor 2022”, theksohet se Koalicioni i OJQ-ve ka planifikuar organizimin e shumë aktiviteteve, ku ndër të tjera do të prezantohen edhe raporte konkrete të korrupsionit me të cilat raporte pasqyrohen problemet dhe sfidat e institucioneve përgjegjëse në luftimin e korrupsionit
“Në kuadër të këtyre aktiviteteve Koalicioni i OJQ-ve ka planifikuar që të mbahen tryeza të diskutimit me akterët relevant lidhur me luftën kundër korrupsionit, dhe po ashtu është planifikuar që të mbahen konferenca të ndryshme ku pritet prezantimi i shumë raporteve analitike”, thuhet në njoftim.
Pjesë e Koalicionit të OJQ-ve “Bashkë kundër Korrupsionit” janë: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Columbus.
Motoja e “Javës Kundër Korrupsion për vitin 2022” është “Bashkë Kundër Korrupsionit”.