Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Qendra e UNDP-së për Politika në Seul, lansuan dje pilot-projektin “Themelimi i sistemit për identifikimin e rreziqeve të korrupsionit në legjislacionin e Kosovës”, sipas të cilit dy zyrat do të bashkëpunojnë me zyrtarë të kundërkorrupsionit për të zhvilluar kornizën ligjore dhe institucionale për shqyrtimin e legjislacionit dhe eliminimin e rreziqeve të korrupsionit.
Në fjalën e saj hyrëse, znj. Un Jong Pak, kryesuese e Komisionit Kundërkorrupsion dhe për të Drejta Civile (ACRC) të Republikës së Koresë, deklaroi se “Vlerësimi i rreziqeve nga korrupsioni (VRK) është një nga masat më efikase kundër korrupsionit që Koreja ka zbatuar për më shumë se dhjetë vjet. Ky vlerësim është mekanizëm i dobishëm për të parandaluar korrupsionin duke identifikuar dhe eliminuar rreziqet në projektligje si dhe në ligjet dhe rregulloret ekzistuese. Shpresoj që ky sistem të kontribuojë në parandalimin e korrupsionit në Kosovë, siç ka bërë në Kore”.
Zyrtarët nga ACRC-ja koreane do të ndajnë përvojat e tyre të zhvillimit dhe zbatimit të VRK-së me kolegët e tyre në Agjencinë Kundërkorrupsion të Kosovës, si dhe me zyrtarët përkatës në institucionet e tjera të përfshira në procesin legjislativ. ACRC bashkë me UNDP-në do të ofrojë këshilla, përfshirë edhe trajnime në Kore, kolegëve të tyre në Kosovë derisa ata të zhvillojnë listën e aktiviteteve për të identifikuar rreziqet nga korrupsioni në legjislacion, zhvillojnë amandamentet ligjore dhe përgatisin një sistem efektiv institucional.
Z. Balazs Horvath, drejtor i Qendrës së UNDP-së për Politika, Seul, “falënderoi pjesëmarrësit e institucioneve të Kosovës të të gjitha niveleve për praninë e tyre në ngjarjen promovuese. Kjo është një mundësi unike për të bërë bashkë të gjithë akterët nga Korea dhe Kosova, por edhe nga rrjeti global i UNDP-së”. Edhe Un Jong Pak theksoi dhe përshëndeti përkushtimin e partnerëve të Kosovës ndaj këtij projekti: “Pjesëmarrja juaj përfaqëson një sinjal të fuqishëm se ky pilot-projekt mbi Vlerësimin e rreziqeve nga korrupsioni, e që po e promovojmë edhe zyrtarisht sot, do të jetë i suksesshëm dhe se përpjekjet e Kosovës për të luftuar korrupsionin, do të sjellin rezultate”.
Kordinatori i OKB-së për Zhvillim dhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Andrew Russell deklaroi se “UNDP-ja përpiqet të sigurojë qeverisje të mirë duke ndihmuar autoritetet në krijimin e institucioneve transparente dhe llogaridhënëse. Shtresa e parë e transparencës dhe llogaridhënies është korniza ligjore. UNDP-ja në Kosovë, në bashkëpunim me Qendrën për Politika në Seul, do të sigurojnë që përmes këtij projekti të krijohet një sistem i fuqishëm dhe i qendrueshëm në bazë të të cilit do të vlerësohet legjislacioni dhe të eliminohet mundësia për korrupsion”.
Ngjashëm, deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe kryesuesja e Komisionit për Legjislacion dhe Mbikëqyrje të Agjencisë Kundërkorrupsion, znj. Albulena Haxhiu, deklaroi se “jemi të kënaqur që përmes këtij projekti do të jemi në gjendje të mësojmë nga përvojat e modelit korean për shqyrtimin e legjislacionit, me qëllim të eliminimit të rreziqeve nga korrupsioni dhe të marrim mbështetje për të zhvilluar një model të tillë edhe në Kosovë”.
Edhe
Drejtori i APK-së: MPJD-ja ndër ministritë më të cenueshme ndaj korrupsionit
Derisa drejtori i Agjencisë Kundërkorrupsion të Kosovës, Shaip Havolli, rikonfirmoi se “Ky është hap i domosdoshëm që Kosova duhet të bëjë, të ndërtojë këtë sistem dhe ne u jemi mirënjohës kolegëve tonë në Kore për vullnetin dhe këshillat për ta ndërtuar një të tillë në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Partneriteti për Zhvillimin e Zgjidhjeve të UNDP-së në Seul është një nga programet më të rëndësishme të USPC-së, nisur më 2014, ku kundërkorrupsioni përbën një nga fushat kyçe të punës aktuale të saj.
-
Kurti akuzon Prokurorinë për aktakuza të dobëta e gjyqësorin për lirim të kriminelëve
-
BE-ja mbështet promovimin e rolit të APK-së në kontrollin e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët
-
Drejtori i AKK-së: Korniza ligjore e vendit mbron sinjalizuesit e korrupsionit
-
UNDP lanson fazën III të projektit “Mbështetje Përpjekjeve Kundër-korrupsionit në Kosovë (SAEK) 2020-2024”