Gjykata Themelore në Departamentin e Krimeve të Rënda të enjten ka marrë vendim për dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë për tre vjet shtetasve serbë, Sinisha Jevtiq dhe Ivan Sekuliq, për veprën “Pjesëmarrje në turmë që kreu veprën penale të huliganizmit”.
Ata, po ashtu, janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim, por Gjykata ua ka mundësuar që në vend të vuajtjes së dënimit, atë ta paguajnë me para.
“Dëbimi i tyre nga territori i Republikës së Kosovës dhe ndalim hyrje në territorin e Kosovës, për periudhën kohore prej tri vitesh. Secilit veç e veç”, tha Vesel Ismaili, kryetar i trupit gjykues.
Jeviq dhe Sekuliq ishin arrestuar më 31 maj në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, dy ditë pas protestave të dhunshme të serbëve në veri, kur u lënduan 90 ushtarë të KFOR-it.
Ata, sipas aktakuzës, janë zënë me thika, çekanë, flamuj të Serbisë, sprej e gjëra të tjera të destinuara për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. Dy shtetasit e Serbisë e kanë pranuar fajësinë.
Dy të dënuarit duhet të paguajnë gjobën brenda 15 ditëve. Jevtiq është i obliguar të paguajë 7000 euro, kurse Sekuliq dy mijë më shumë, pasi është shpallur fajtor edhe për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Andaj ky dënim i shqiptuar me kohëzgjatje prej 6 muajsh, i zëvendësohet me dënim gjobe, në lartësi prej 7000 eurosh, në të cilën gjobë do t’i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit, nga data 31.05.2023 deri me 03.08.2023, duke iu llogaritur për 20 euro për një dit qëndrim në masën e paraburgimit”, shtoi Ismaili.
Mbrojtja e të akuzuarave pranoi vendimin e Gjykatës dhe shprehu gatishmërinë që të dënuarit ta paguajnë gjobën menjëherë.
Jevtiq e Sekuliq ishin në mesin e emrave të cilët kryeministri Albin Kurti i pati përmendur në një seancë të Kuvendit në fillim të qershorit, duke i akuzuar si organizatorë të trazirave në veri. Sipas Kurtit, Jevtiq e Sekuliq janë pjesë e grupimit të tifozëve nacionalistë të Cërvena Zvezdës, “Delije”.