Arbëri

U mblodh Këshilli i Sigurisë në Serbi, u diskutua për “gjendjen në Kosovë dhe një ‘non-paper’”

Keshilli i Sigurise i Serbise

Foto: Tanjug

Të enjten është mbledhur Këshilli i Sigurisë i Serbisë, ndërsa ndër temat e diskutuara ishte situata në Kosovë e po ashtu një “non-paper” mbi Bosnjë-Hercegovinën që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u ka prezantuar të pranishmëve dhe ka thënë se ishte hartuar nga Gjermania e Franca, ka deklaruar shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq. 

“Takimi zgjati pak më shumë, biseduam për situatën e sigurisë në rajon, për situatën e sigurisë në Kosovë e M. dhe për çështje të caktuara që prekin udhëzimet dhe përfundimet se si të veprohet dhe çfarë të bëhet më tej”, tha Mojsiloviq, transmeton “B92”. 

Ai tregoi se Vuçiq prezantoi një “non-paper” të hartuar nga Gjermania dhe Franca, që ka të bëjë me Republika Sërpskan dhe Bosnjë-Hercegovinën. 

“Ky dokument e vështirëson pozicionin e Republika Sërpskas. Në takim u përcaktuan udhëzime, u dhanë detyra dhe udhëzime se si Serbia do ta trajtojë atë”, tha Mojsiloviq. 

Mojsiloviq ka folur edhe për situatën në Kosovë. 

“Çdo ditë jemi dëshmitar të zbatimit të hapave të njëanshëm që i rrezikojnë pakicat, në këtë rast serbët. Në kuptimin politik, keqtrajtimi nga ana e institucioneve të Prishtinës doli në pah. Kjo çështje meriton vëmendje jo vetëm nga Këshilli, por edhe më gjerë, në aspektin e përcaktimit të përfundimeve dhe udhëzimeve”, tha Mojsiloviq.