Arbëri

U. d. i shefit të Policisë Kufitare caktohet zyrtari që akuzohej për korrupsion

Në emër të reformave në Policinë e Kosovës, departamentin e Policisë Kufitare do ta drejtojë Ragip Bunjaku, i arrestuari i dikurshëm për korrupsion.

Siç ka raportuar KOHA, me vendim të drejtorit, Samedin Mehmenti, Shaban Guda është degraduar nga kjo pozitë, ndërsa në vend të tij është vendosur si ushtrues detyre Ragip Bunjaku.

Ai për publikun është i njohur në përfshirjen e tij në aferën me keqpërdorime me tenderin e armëve në Policinë e Kosovës. Afera nuk është mbyllur me vendim shfajësues ose dënues për shkak të zvarritjes së lëndës në prokurori.

KOHA ka provuar ta telefonojë Bunjakun, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave, e përgjigje nuk ka kthyer ende as Zyra për Informim në Policinë e Kosovës.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme i kanë thënë KOHËS, së caktimi i Bunajkut në këtë pozitë është i përkohshëm deri në zgjedhjen e një emri meritor, dhe së ai është bërë ushtrues detyre për shkak që ishte udhëheqës i divizionit.

Se për Bunjakun nuk ka pasur kurrë vendim shfajësues, dëshmojnë dokumentet e gjykatave të cilat i posedon KOHA.

Për herë të fundit për këtë rast është vendosur në Gjykatën e Apelit në mesin e dhjetorit të vitit 2020.

Në aktvendimin e Apelit është konfirmuar hedhja e aktakuzës ndaj Bunjakut dhe 4 të akuzuarve të tjerë. Aty përmendet së aktakuza ishte e paafatshme, pa u futur fare nëse kishte prova për t’u gjykuar ose dënuar.

“Lidhur me afatshmërinë e ngritjes së aktakuzës kjo gjykatë gjen se aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 19.8.2015 dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit kanë dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qarta lidhur me kalimin e afatit për ngritjen e aktakuzës”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Ankesë ndaj hedhjes së aktakuzës për shkak të afatit ka ushtruar Prokuroria e Shtetit në Gjykatën Supreme, por sipas këtij institucioni ende nuk është trajtuar.

“Duke ju falënderuar për pyetjet, ju njoftojmë se Kërkesa për Mbrojtje të Ligjshmërisë, për rastin në fjalë është pranuar në Gjykatë Supreme, më datë 23 mars 2021, është regjistruar me numër PML nr.105/21 dhe pritet të ndahet në punë”, thuhet në ankesën e Gjykatës Supreme.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 19 janar 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj Armend Selimit, Astrit Pirajt, Xhevahire Vatovcit, Kadrush Koliqit, Ragip Bunjakut për vepra penale të ndryshme.

Aktakuza ngarkonte Selimin, Pirajn, Vatovcin, Koliqin dhe Bunjakun për furnizim, transportim dhe shitje të paautorizuar të armëve gjatë viteve 2009-2011.