Në këtë objekt të shkollës fillore "Andon Zako Çajupi" në Mitrovicë, që brenda ka 20 klasë, mësojnë rreth 1000 nxënës në 3 ndërrime e orar të shkurtuar.
Një pjesë e nxënësve janë të shkollës "Aziz Sylejmani", që është shkollë e Mitrovicës së Veriut, por që nga paslufta është transferuar në Mitrovicën e Jugut, raporton KTV. Ndërsa, një pjesë janë të shkollës "Musa Hoti" e cila ishte kapluar nga zjarri.
Mësimdhënësit e prindërit ankohen se mësimi në këto kushte nuk është cilësor.
Por, në objektin e shkollës prej vitit 2003 është vendosur edhe drejtoria e Inspektoratit të Arsimit.
Me gjithë kërkesat që drejtoresha e shkollës, Melihate Meha, i ka bërë për largimin e tyre, asgjë nuk është ndërmarrë.
Zyrtarët e Inspektoratit të Arsimit thonë se edhe vetë kanë bërë kërkesë për t’u larguar prej këtu.
Në Komunën e Mitrovicës thonë se objekti i shkollës do të lirohet shumë shpejt, pasi ndërtimi i shkollës "Musa Hoti" përfundon në shtator.
Shkolla “Musa Hoti” ishte djegur vitin e kaluar dhe që atëherë nxënësit janë bartur në shkollën"Andon Zako Çajupit". Ndërsa, nxënësit e shkollës “Aziz Sylejmani” vijojnë mësimin në këtë shkollë tash e 12 vjet.