Megjithëse ende po vazhdon greva në arsim, shkollat fillore tashmë kanë dalë me njoftimet për orarin mësimor.
Për shkak të mbingarkesës së madhe të nxënësve në këtë vit, shkolla “Pavarësia”, në lagjen “Mati 1” të Prishtinës, tashmë ka paralajmëruar se viti i ri shkollor do të fillojë me mbajtjen e mësimit me 3 ndërrime.
Këtë gjë nuk e kanë pritur aspak mirë vetë prindërit, të cilët thonë se ndërrimi i tretë përfundon shumë vonë e në këtë mënyrë po shkurtohen edhe orët mësimore.
Duke pasur parasysh numrin e madh të nxënësve nëpër klasa, përmes faqes së “Facebookut” të lagjes “Mati 1” prindërit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për këtë gjë.
“Desha me hap një temë në lidhje me një shqetësim si prind që e kam. Në njoftimin më poshtë shihet orari me 3 ndërrime për këtë vit shkollor. Duke u nisur nga fakti që klasat veç kanë një numër të madh nxënësish (rreth 40), shkurtimi i orarit është edhe një shqetësim shtesë në kualitetin e mësimit të fëmijëve tanë. Ne si komunitet i prindërve duhet të organizohemi e të bëjmë presion ne organet kompetente për gjetjen e një zgjidhje. Komuna e Prishtinës , Përparim Rama , Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”, shkruan një prind i shqetësuar.
Zëvendësdrejtori i shkollës “Pavarësia”, Halil Brahaj, thotë se kjo shkollë është e mbingarkuar pasi edhe vetë lagjja “Mati 1” është e rrethuar me një numër të madh të banorëve që vijnë nga vende të ndryshme të Kosovës.
Sipas tij, mesatarisht brenda një viti shkollor te kjo shkollë, në çdo të dytën ditë vjen një nxënës i ri.
Me 22 salla të mësimit sa posedon kjo shkollë, është e pamundur zhvillimi i mësimit me dy ndërrime, në këtë vit të ri shkollor ku numërohen 1.850 nxënës.
“Tani kemi 1.850 nxënës dhe shkolla posedon 22 salla të mësimit. Në anën tjetër, ne kemi 51 paralele, për të qenë mësimi në dy ndërresa ne duhet të kemi vetëm 44 paralele. 7 paralele që i kemi më tepër, ne jemi detyruar që të fillojmë edhe ndërresën e tretë që është një lajm, aspak i pranueshëm për vetë prindërit dhe për neve aspak i dëshirueshëm por rrethanat aktuale e kanë pamundësuar një situatë tjetër”, ka thwnw Halil Brahaj, zëvendësdrejtor i shkollës “Pavarësia”.
Në këtë mënyrë, zëvendësdrejtori thotë se janë detyruar të shkurtojnë çdo orë mësimore me nga 5 minuta.
“Kemi bërë 3 skenarë të mësimit për këtë vit shkollor. Skenari i parë dhe i pranueshëm do të ishte ai që të zhvillohet mësimi me 2 ndërrime dhe me orët që do të duhej të ishin 45 minuta, pastaj janë skenari tjetër me 3 ndërrime por me të njëjtat minuta, dhe ne nëse3 do të vazhdonim me skenarin B që mësimi të zhvillohej me 3 ndërrime por me orën mësimore 45 minuta për secilën orë mësimore kjo do të dërgonte përfundimin e orës mësimore në orën 22, andaj është dashur që të veprojmë me skenarin tjetër, skenarin C që kemi shkurtuar orët mësimore me nga 5 minuta”, y shpreh ai.
Sipas Brahajt, kjo gjë do të shmangej në rast se do të ndërtohej aneksi shtesë, për të cilin është nënshkruar një kontratë në nëntor të vitit të kaluar. Për shkak se kjo lagje është në zhvillim e sipër, sipas tij, zgjidhje afatgjate do të ishte ndërtimi i një shkolle të re.
Komuna e Prishtinës thotë se vetëm kjo shkollë do të shkojë me tri ndërrime, duke pohuar se ka vonesa në fillimin e ndërtimi të aneksit shtesë të kësaj. Shkak i vonesave sipas komunës është anulimi i dyfishtë i kontratës nga operatori fitues, për shkak të rritjes enorme të çmimeve të lëndëve ndërtimore.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, thotë se tani janë në tenderim dhe shumë shpejt pritet të nënshkruhet kontrata e re.
Musmurati nuk e di se kur pritet të fillojë ndërtimi i shkollës së re në “Mati 1”, e cila po vazhdon të jetë në proces gjyqësor për shkak të një konteksti pronësor. Por në ndihmë, sipas saj, do t’i vijë shkolla që po ndërtohet në lagjen “Kodrina”.
“Një shkollë e re po ndërtohet me projektin IFC, të cilën e ka Komuna e Prishtinës që është bërë në mandatin e kaluar, tani është zhbllokuar projekti dhe shpresojmë që shumë shpejt të fillojnë punimet. Ajo është në lagjen ‘Kodrina’, por që përcakton edhe një pjesë të lagjes ‘Mati 1’. Është një lagje që është zhvilluar shumë kohëve të fundit, është zhvilluar sa i përket ndërtimeve por asnjëherë nuk është shoqëruar me objekte të mirëfillta sa i përket shkollave dhe çerdheve”, tha Musmurati. “Për këtë arsye do të ndërtohet shkollë e re dhe çerdhe e re në atë lagje, por në të njëjtën kohë do ta bëjmë me votimin e PZHK-së, do të mundohemi t’i identifikojmë të gjitha hapësirat në Prishtinë ku janë pronë komunale dhe ku mund të ndërtojmë çerdhe dhe shkolla. Aty ku ka nevojë në bazë të studimeve që do t’i bëjmë me të gjitha para masat që në të ardhmen të kemi shkolla aty ku ka nevojë pra të kemi një planifikim të duhur e të dimë se ku të ndërtojmë”.
Ditë më parë, qeverisja e tanishme e Prishtinës ka ndarë edhe lokacionin e parë për ndërtimin e një shkolle të re.
“Parcelën e kemi ndarë në lagjen ‘Veternik’, ku do të ndërtohet një shkollë e re fillore, parcelën e kemi ndarë dhe si Komunë e Prishtinës jemi duke e bërë projektin dhe pastaj do ta dërgojmë në Ministrinë e Arsimit për financim. kemi marrë zotim nga ministrja që do të përkrahë investimet e reja në Prishtinë ashtu siç do të bëjmë ne si komunë. Deri më tani kemi ndarë 3 lokacione për ndërtimin e çerdheve në Prishtinë, një në lagjen Mati 1, dhe 2 në lagjen Kolovica, një me financim të Komunës, një me financim të Ministrisë së Arsimit dhe një shpresojmë me financim të Bashkimit Evropian, të fondit IPA”, shtoi ajo.
Përveç lagjeve të reja, komuna përmes PZHK-së parasheh ndërtimin e shkollave të reja edhe në lagjet e vjetra të Prishtinës për shkak të mbingarkesës së madhe të nxënësve. Në këtë mënyrë do të mundësohet edhe zhvillimi i mësimit gjithëditor.