Arbëri

Mungesa e hapësirave, në Pozheran mbahet mësim me pesë ndërresa e orë mësimore 20-minutëshe

20 minuta zgjat një orë mësimore në shkollën në Pozheran të Komunës së Vitisë tash e tre vjet. Krejt kjo, për shkak të mosfunksionalizimit të objektit të ri, i cili ka filluar të ndërtohet qysh në vitin 2016. Në mungesë të kushteve të mirëfillta për zhvillimin e procesit mësimor, disa prindër janë detyruar që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla të tjera.

Nxënësit e klasës së tretë në shkollën “Halil Alidema” në Pozheran të Vitisë, asnjëherë nuk kanë mbajtur një orë të plotë mësimore prej 45 minutave.

Prej se janë inkuadruar në arsimin fillor, orën mësimore e mbajnë vetëm 20 minuta, e në shkollë qëndrojnë vetëm dy orë e 15 minuta.

Mësimi në këtë objekt zhvillohet në pesë ndërresa. Mësimdhënësit detyrohen çdo ditë t’i fuzionojnë njësitë mësimore për ta zënë hapin e paraparë me planprogram.

E sivjet sfidat i kanë dyfish më të rënda, për shkak të orëve të humbura si pasojë e grevës.

“Fëmijët kërkojnë të zhvillohen aktivitete, lojëra të ndryshme të cilat i hyjnë shumë punë procesit mësimor. Këta fëmijë të vegjël, secili mëson në mënyrën e vet dhe ora mësimore zhvillohet në një periudhë kaq të shkurt, normalisht që kanë vështirësi”, ka thënë mësimdhënësja në këtë shkollë, Urata Rama-Galica.

Në të njëjtin objekt mësimin e zhvillon edhe gjimnazi “Kongresi i Manastirit”.

Në mungesë të kushteve të mirëfillta për zhvillimin e procesit mësimor, Samed Halabaku, është detyruar t’i dërgojë dy fëmijët e tij për shkollim në Prishtinë.

“Jam detyruar në rrethanat të mia që nuk janë aq të mira, por më është dashur patjetër t’i dërgojë në Prishtinë. Tani e kam edhe një fëmijë në klasë të gjashtë edhe atë duhet ta çregjistrojë dhe ta dërgojë në shkollë tjetër”, ka thënë Halabaku.

Që nga viti 2016, ka filluar ndërtimi i një objekti të ri për shkollën fillore. Edhe pas gjashtë vitesh, objekti për të cilin u shpenzuan afro 3 milionë euro, nuk është funksionalizuar.


Për shkak të mosrespektimit të afateve për punimet, Ministria e Punëve të Brendshme e cila është përgjegjëse për objektin, ia ka shkëputur kontratën kontraktuesit.

Të mërkurën, ministria ka përzgjedhur operatorin e ri ekonomik për vazhdimin e punimeve, që do t’i kushtojë edhe mbi 700 mijë euro.

Sipas kontratës, operatori i ri punimet duhet t’i përfundojë deri në mars të vitit të ardhshëm.

Prindi Halabaku brengoset se derisa të funksionalizohet objekti i shkollës, nuk do të ketë nxënës për ta mbushur atë.

“Në qoftë se vonohen punimet në këtë objekt këtu, nëse pas dy-tri viteve përfundohet shkolla, shkolla ka mundësi të përfundojë, por fëmijë nuk do të ketë në këtë shkollë”, ka thënë ai.

Mbi 25 nxënës janë çregjistruar vetëm këtë vit nga shkolla fillore dhe gjimnazi, për shkak të kushteve të papërshtatshme për zhvillimin e orës mësimore.