Arbëri

Tri momentet që definuan pozicionin e disfavorshëm të Kosovës në dialog, sipas Haradinaj-Stubllas

Ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka numëruar tri momentet që, sipas saj, e kanë vendosur Kosovën në pozicion të disfavorshëm karshi Serbisë në procesin e dialogut.

Haradinaj-Stublla ka thënë se marrëveshja për krijimin e Asociacionit, vendimi për ta ndarë Mitrovicën në dy komuna dhe diskutimet për shkëmbim të territoreve, e kanë vendosur Kosovën në pozicionin ku është sot sa i përket dialogut.

“Tri momente në të cilat Kosova ka rrëshqitur gabimisht dhe sot po i vuan pasojat e një pozicioni të disfavorshëm karshi Serbisë. Kosova gaboi kur e rihapi temën e të drejtave të komuniteteve, pavarësisht se ishim të mirëkoordinuara me planin e Ahtisaarit. Kosova nuk do duhej të jepte asgjë më shumë. I kuptoj rrethanat dhe kontestin e atëhershëm, por hyri në një rrugë të gabuar. Vendimi për ta themeluar komunën veriore të Mitrovicës, për ta ndarë Mitrovicën. ‘De-facto’ është krijuar një kufi etnik. E treta është tema për lobim të shkëmbim të territoreve. U bë e hapur për ta diskutuar shtetësinë pas 17 shkurtit 2008. Këto tri momentet e definuan pozicionin e disfavorshëm sot”, ka thënë Haradinaj-Stublla në “Interaktiv” të KTV-së.

Haradinaj-Stublla ka theksuar se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të arrihet marrëveshja finale. Ka shtuar se qëndrimi amerikan për Kosovën është i njëjtë siç ka qenë. Sipas saj, SHBA-ja e do marrëveshjen finale me njohje reciproke.

Ish-ministrja e Jashtme në Qeverinë Hoti ka pasur kritika për mostransaparencën e kryeministrit Albin Kurti për procesin e dialogut. Ka thënë se Kurti do duhej të tregonte se cili është qëllimi i Kosovës.

Ka bërë thirrje që Kosova të jetë më e zëshme, më argumentuese, që të mos lejojë Serbinë të manovrojë me strategjinë e saj destabilizuese, e cila sipas Haradinaj-Stubllës, ka instruksione nga Rusia.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, udhëhoqi delegacionin e përbërë nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltarët e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, si dhe të kryeministres italiane, Giorgia Meloni, që vizituan sot Prishtinën e Beogradin. Pas takimeve, Lajçaku ka thënë se ka pritur më shumë mirëkuptim nga Kurti, ndërsa e ka quajtur shumë të përgjegjshëm qasjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe ka thënë se Asociacioni duhet të formohet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe duke aluduar në Kurtin, ka theksuar se një njeri s'mund ta shmangë detyrimin ligjor.