Arbëri

Tre prej 36 pacientëve në Infektivë janë në gjendje të rëndë shëndetësore

Vetëm 11 persona janë konfirmuar me Covid-19 në Kosovë në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të infektuarve në mbi 830.

Trendi i më shumë të shëruarve sesa të prekur ka vazhduar edhe këtë të diel, ku negativë janë konfirmuar 18 persona, e numri i përgjithshëm i atyre që kanë mposhtur këtë virus ka shkuar në rreth 350 persona.

Sipas IKSHPK-së, rastet pozitive janë raste kontakti, 5 nga komuna e Mitrovicës së Veriut, 3 raste nga komuna e Prizrenit dhe 3 nga Leposaviqi, raporton KOHA.

E në Klinikën Infektive janë duke marrë trajtim 36 persona, prej tyre tre vazhdojnë të jenë në gjendje më të rëndë.

Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë se në Klinikë janë gjithsej 5 persona që janë në dializë dhe që janë konfirmuar me Covid-19.

Në izolim vazhdon të mbetet ende vetëm Komuna e Pejës, e cila deri tani ka mbi 70 persona të prekur me Covid-19.

Gjatë fundjavës, janë larguar nga karantina, komuna e Prishtinës, Prizrenit, Malishevës, Klinës, Vitisë dhe ajo e Suharekës.