Ish-presidentët e Shqipërisë, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, janë shpallur qytetarë nderi të Komunës së Drenasit, për çka shprehën mirënjohjen e tyre. Të mërkurën, në mbledhjen solemne të Kuvendit Komunal të Drenasit, ish-presidentët kanë përmendur situatën e brishtë në veri të vendit, duke theksuar se Kosova e Shqipëria të bashkuara do ta tejkalojnë çdo sfidë.
Ish-presidenti Alfred Moisiu, ka thënë se është mirë që në situatën që po kalon Kosova, ta shohin të gjithë se Kosova dhe Shqipëria janë bashkë dhe do të përballojnë çdo vështirësi.
"Në kohë kur situa politike në kufirin me Serbinë, kur probleme të ndryshme gjeostrategjike qarkullojnë është mirë ta shikojë që ne jemi bashkë, jemi një komb dhe kështu si jemi do e përballojmë. E kanë ditur të parët tanë që në situata shumë të vështira të gjejmë mundësinë të bashkohemi dhe të përballojmë situata ... Dhe ne nuk duhet t'i harrojmë asnjëherë sakrificat dhe trimërinë që kanë treguar shqiptarët gjatë problemeve të rëndësishme", ka theksuar Moisiu.
Ish-presidenti Bamir Topi, ka thënë se shqiptarët të bashkuar do ta përballojnë çdo sfidë.
“Atmosfera sot përzihet me disa situata që po ndodhin në Veriun e Kosovës, patjetër që ne jemi në një situatë paqe dhe uroj që situata e paqes do të vijë ... Të kujtojmë pjesën e pushkës sepse pa atë nuk do të kishte pasur çlirim por me shumë inteligjencë të kapim paqen dhe të vijë dita që Kosova dhe Shqipëria të jenë bashkë në një himn”, ka thënë Topi.
Ish-presidenti Rexhep Meidani, ka theksuar se ëndërron që një ditë Kosova dhe Shqipëria të jenë të bashkuara me një himn.
"Ëndërroj një gjë të ishim bashkë, dhe këto mendime më erdhën në mendje në kohën kur u ekzekutuan himnet e flamurit dhe prapë kemi dy himne. Kur do vijë dita që të kemi një të vetëm, e unë besoj se do të bijë dita kur do të jemi bashkë, dhe pikërisht për këtë jete do të luftojmë bashkë dhe të jemi gjithë kohën në harmoi me njeri-tjetrin për ta ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë. Edhe në qoftë se politika nuk e kupton, ne të ndikojmë në politikën e të arrijmë përsëri këtë ëndërr të madhe, ëndrrën e të njëjtit flamur dhe të njëjtit himn", është shprehur Mediani.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovc, i ka vlerësuar këto tri personalitete si mjaft të rëndësishme për kombin shqiptar.
"Këto tre personalitete të rralla janë të fushave të ndryshme por me rrugën dhe vizionin e njëjtë, atë të përparimit të Shqipërisë dhe kombit shqiptar kudo që jeton. Kjo ditë qe ju po pranoni titullin qytetar nderi është dita e shënuar për ne dhe jo rastësisht me urimin për qytetarë nderi urojmë edhe ditën e Ushtrisë së Kosovës”, ka theksuar Lladrovci.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi. Derisa ka folur për unitetin mes shqiptarëve, Minxhozi ka deklaruar se situata që po kalon vendi është e vështirë, porse sipas tij Kosova dhe Shqipëria do ta kalojnë.
"Situata që po kalon Kosova është një situatë e vështirë por situatat e vështira kalohen me miq, shokë e vëllezër dhe kjo sallë na ka bashkuar të gjithëve me qëllim të përbashkët që çdo sakrificë, vështirësi, Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë bashkë dhe ta kalojnë së bashku", ka thënë Minxhozi. /ksp