Anembanë botës të enjten u shënua Dita e Gruas, ku në fakt më shumë marshuan e kërkuan drejtësi se sa që festuan.
Tre billborde u vendosën edhe në Prishtinë, aty ku shkruheshin emrat e grave të vrara nga burrat e tyre, Zejnepe Bytyqi e Diana Kastrati dhe në një billbord shkruante “Edhe sa thirrje të humbura”, aksion ky që u bë nga vajzat e grupit “Have it”.
Billborde me mbishkrime të ndryshme pati në shumë vende të botës, që u motivuan nga filmi “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, transmeton Koha.net.
Ne Londër, tre kamionë shëtitën nëpër qytet ku të vendosura kishin tre billborde ku shkruanin “71 të vdekur”, “Akoma asnjë i arrestuar”, “Si ndodhi”. Kjo u bë me qëllim për t’i kujtuar të vdekurit nga zjarri në Grenfell Tower.
Që nga debutimi i filmit, anembanë botës gratë u frymëzuan dhe morën iniciativa të ndryshme.
The Guardian, ka shkruar një artikull për shumë vende të cilat krijuan billborde të ndryshme me mesazhe të forta, ku në mesin e tyre përmendet edhe Kosova.
Edhe jashtë selisë së OKB-së, u vendosen billborde ku kërkohej të votohej për armëpushim në Siri.
Të gjitha billbordet nëpër botë patën mesazhe të fuqishme, madje edhe reagime.
Aktivistët të cilët krijuan këto mbishkrime nëpër billborde besojnë se fuqia e tyre mund të shfrytëzohet për t’i kujtuar njerëzit që u vranë padrejtësisht dhe të kërkohet sa më shumë drejtësi për ta.
Edhe në Francë u kërkua drejtësi, madje billborde pati edhe duke iu drejtuar firmave që i paguajnë gratë më pak se sa burrat. Presidenti francez Emmanuel Macron, premtoi se do të punojë shumë shpejt për t’i dënuar ata që paguajnë gratë më pak. Kujtojmë se gratë në Francë fitojnë mesatarisht 25.7 për qind më pak se burrat.
Ndërkaq, në Spanjë, u anuluan qindra trena pasi numri i protestuesve ishte tepër i madh. Dhjetë sindikata kërkuan barazi gjinore, ndërsa greva zgjati 24 orë. Policia spanjolle ka thënë se mbi 200,000 njerëz janë mbledhur në Barcelonë, ku të gjithë njëzëri kërkuan drejtësi.
Në Mosul të Irakut, rreth 300 gra marshuan në një maratonë simbolike në rrugën kryesore të qytetit, ku kërkuan që gruaja ta ketë vendit e saj të duhur.
“Unë kam të drejtë të flasë lirshëm”, shkruhej në pankarta.
Në Kajro të Egjiptit, muzeu egjiptian vuri në ekspozitë tri artefakte për të nxjerrë në pah rolin e grave në antikitet. Aty përfshihej edhe një kokë ngjyrë e kuqe e Nefetitit, mbretëresha që mbante rol kyç politik fetar krahas burrit të saj, Faraonit Ekhenaten, diku rreth 3300 vjet më parë.
Ndërkaq, princi Harry dhe Meghan Markle, këtë ditë e festuan duke inkurajuar studentët e rinj të ndjekin më shumë karrierën e tyre, dhe që gjinia femërore të respektohet gjithnjë e më shumë.
Këto aksione nëpër botë, u motivuan nga filmi “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, që tregon përpjekjen e një nëne që lufton për të gjetur vrasësin dhe dhunuesin e vajzës së saj dhe ta vendosë atë para drejtësisë.
{gallery}