Politikania serbe Rada Trajkoviq ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, u nxor nga fshati Banjskë nga një “dorë misterioze”, e cila sipas saj, “ka fuqi si mbi palën serbe ashtu edhe shqiptare”.
Këshilltarja e ministrit të Kosovës për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka theksuar se “serbët edhe një herë po e kthejnë një disfatë strategjike në një fitore”.
“Askush të mos pyet se si Milan Radoiçiqi shpëtoi në çdo situatë – nga tentimi për arrestimin për vrasjen e Oliverit deri tek incidenti i fundit në Banjskë – dhe u nxor nga telashi nga një dorë misterioze që ka fuqi si mbi palën serbe ashtu edhe shqiptare. Dhe serbët, duke qenë serbë, edhe një herë e kthejnë një disfatë të vërtetë strategjike në një fitore ‘qiellore’ dhe nga lotët për viktimat nuk mund ta shohin të vërtetë: sot jemi në një situatë dhe pozitë shumë më të keqe negociuese se që ishim më parë”, ka shkruar Trajkoviq në platformën “X”.
Ajo ka thënë se mbetet të shihet nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka guximin për t’u distancuar nga “gjitha këto”.
“Shtrohet pyetja: a ka Vuçiqi guxim e forcë të mjaftueshme për t’u distancuar nga ‘gjithë kjo’ në veri të Kosovës, e cila tashmë qartë kërcënon interesat shtetërore dhe po e çon rininë tonë në një vdekje të kotë për hir të interesave të disave që Serbisë nuk ia duan stabilitetin. Përgjigja do të jepet në ditët në vijim”.
Të martën ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga droni gjatë aksionit të Policisë në Banjskë, e në të cilën ka thënë se shihet Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, e që është edhe pjesë e Listës së Zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Ai ka thënë se Radoiçiqi është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë.