Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Topalli: Demarkacioni të shkojë në arbitrazh, e Qeveria të merret me varfërinë e papunësinë

Gabim të radhës të Qeverisë Mustafa e ka quajtur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, miratimin e raportit të Komisionit për matjen e territorit të Kosovës.

“Dokument pa vlerë që mat territorin pa i ditur kufijtë. Po ashtu metodologjia ka qenë gabim, sepse është matur territori i regjistruar në kadastër, e dihet që një pjesë e territorit të Kosovës nuk është e regjistruar në kadastër as të Kosovës as të Malit të Zi”, ka thënë Topalli, në “Interaktiv” të KTV-së.

Topalli ka thënë se ky veprim i Qeverisë është “tendencë e hedhjes hi syve ndaj qytetarëve të Kosovës se kinse Kosova nuk po humb territor”.

“Ne në Vetëvendosje dëshirojmë që të kemi një fqinjësi të mirë me Malin e Zi, e konsiderojmë vend mik, por jemi për të gjetur një zgjidhje që nuk e dëmton Kosovën. Është për habi se si Mali i Zi ka thënë se është i gatshëm për të rinegociuar marrëveshjen për kufirin, derisa institucionet e Kosovës nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi”, ka thënë Topalli.

Ai ka thënë se marrëveshja për demarkacionin duhet të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar, ndërsa Qeveria e Kosovës të merret me problemet jetike të qytetarëve, siç janë varfëria e papunësia, e prej të cilave, siç ka thënë deputeti Topalli po provohet të shmanget.

Edhe Demarkacioni, provë e mbijetesës së Kuvendit dhe Qeverisë Arbëri Demarkacioni, provë e mbijetesës së Kuvendit dhe Qeverisë

“Ne kemi varfërinë më të lartë në Evropë, 120 mijë qytetarë jetojnë me më pak se 50 euro në muaj. Kjo Qeveri është e paaftë për t’i zgjidhur këto probleme, prandaj është kapur për temën e demarkacionit madje duke akuzuar opozitën se po mban peng liberalizimin e vizave”, ka thënë Topalli.

Është shprehur i bindur se edhe po të ratifikohej demarkacioni Kosovës nuk do t’i liberalizoheshin vizat për shkak të, siç ka thënë ai, korrupsionit të lartë.