Tony Blair u këshillua të punonte me Ushtrinë Çlirimtare gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht se thuhet se besonin që ata [UÇK-ja] nuk ishin “shumë më të mirë se serbët”. Por Blair po kërkonte t’i jepte fund krimeve kundër njerëzimit nga serbët, thuhet në dokumentet e Arkivit Kombëtar britanik të zbuluara të premten, shkruan The Guardian.
Blair, asokohe kryeministër i Britanisë së Madhe, kishte drojë të madhe se dukej se ishte shumë i afërt me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila po luftonte kundër forcave nacionaliste serbe të udhëhequra nga Sllobodan Millosheviqi.
“Në përgjithësi, pikënisja jonë në një konflikt si ky duhet të jetë se armiku i armikut tuaj është miku juaj”, thuhet në këshillën që i është dhënë Blairit për luftën në Kosovë, sipas dokumenteve të Arkivit Kombëtar.
“Ne jemi në rrezik të jemi shumë përbuzës. Ne nuk duam ta favorizojmë politikisht UÇK-në ndaj partive të tjera kosovare. Por ne duhet të llogarisim që UÇK-ja po bëhet shumë më e popullarizuar pas asaj që ka ndodhur [në luftërat jugosllave] dhe të pranojmë se ata janë e vetmja parti me një lloj ushtrie”, thuhet në letrën e përgatitur nga John Sawers, asokohe këshilltari për punët e jashtme të Blairit dhe më vonë shefi i Shërbimit të Inteligjencës Sekrete.
Në letrën, dërguar Blairit dhe ndihmësve të tij të lartë, Sawersi vlerëson se do të ishte e pamundur të çarmatoset UÇK-ja pas konfliktit. Në vend të kësaj, këshilloi ai, do të ishte më mirë të punohej me organizatën për të shpallur zgjedhje.
Edhe
Britania i tha SHBA-së se pushtimi i Irakut mund t'i kushtonte Blairit postin e kryeministrit, zbulojnë dokumentet
Në fund të letrës, lëshuar në Arkivin Kombëtar nga Zyra e Kabinetit të premten, një dorë “anonime” ka shkruar: “Unë jam dakord”.
Shënimi e bën të qartë ankthin për natyrën dhe përfshirjen e Britanisë së Madhe në konfliktin brutal multi-faksional që shpërtheu në ish-Jugosllavi nga viti 1991 deri më 2001.
Ndërhyrjet e NATO-s përfshinë sulme ajrore kundër forcave të Millosheviqit, i cili vdiq në vitin 2006 ndërsa po gjykohej për krime lufte.
Britania e Madhe, nën udhëheqjen e Blairit, do të bëhej më pas një nga mbështetësit kryesorë të UÇK-së nën liderin e saj të atëhershëm Hashim Thaçi.
Në prill të këtij viti, Thaçi u paraqit në bankën e të akuzuarve të një gjykate në Hagë – së bashku me tre drejtuesit e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi – të akuzuar për krime lufte që përfshijnë bashkëpunim të dyshuar në vrasjen e 102 personave.
Ekipi i Blairit nuk ka pranuar të komentojë dokumentet e Arkivit Kombëtar.
Në vitin 2010, Blair ishte shpallur “Doctor honoris causa” nga Universiteti i Prishtinës.
Edhe
Roli i Blairit në çlirimin e Kosovës
LEXO EDHE: