Togeri i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Reshat Hyseni, ka rrëfyer për shpëtimin e një qytetari 62-vjeçar nga vetëvrasja një ditë më parë në rrugën “Ahmet Kaçiku” në këtë komunë.
Togeri Hyseni ka deklaruar se personi në fjalë është bindur që të zbresë nga vinçi në të cilin ndodhej, pas rreth 40 minutash komunikim me policinë.
“Dje kemi qenë si zakonisht në detyrë. Rreth orës 13:00 nëpërmes linjës së kontrollit apo nr. 192 kemi marrë një informacion nga qytetarët që një person i moshës rreth 60 vjeçare ka hipur në një vinç she po tenton të vetëvritet. Kemi urdhëruar menjëherë që njësitet më të afërta të shkojnë në vend të ngjarjes, pas saj kam shkuar edhe unë. Atje e kemi vërejtur që qytetari ishte në katin e 4-të apo 5-të dhe kishte qenë në mes të vinçit. Kemi hipur atje dhe në ato momente personi në fjalë ka hipur deri në katin e 9-të, gjithnjë nëpër vinç. Kemi filluar nga pak me negociata. Ka qenë në gjendje të rëndë mentale dhe ka qenë jokooperativ në fillim të bisedës, por me kalimin e kohës kemi arritur të gjejmë një rrugë të komunikimit”, ka Hyseni ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Hyseni ka treguar se me personin në fjalë ka komunikuar personalisht ai, në mungesë të njësisë së negocimit.
“Duke pasur parasysh që në kuadër të Policisë është edhe njësia e negocimit, por në mungesë të tyre këtë rol duhet ta marrë mbikëqyrësi i ndërrimit dhe ndonjë polic me aftësi të mira të komunikimit ose person me përvojë. Më është dashur që gjithqysh unë të merrem me atë punë. Gjatë tërë kohës kam komunikuar unë me të dhe e gjeta një rrugë të përbashkët, ka zgjatur diku rreth 40 minuta për ta bindur dhe që bashkë me mua të zbresë si është më së miri, pa u lënduar askush aty”, është shprehur ai.
Sipas Hysenit, i dyshuari, i cili është shtetas i Shqipërisë, ka kërkuar që të njoftohen mediat dhe disa persona të caktuar, derisa po tentonte të vetëvritej.
Edhe
Shpëtohet nga vetëvrasja një person në Ferizaj
“Kishte kërkesa të ndryshme, të njoftohen mediat, të kontaktohen persona të ndryshëm aty, kërkesat i bënte pasi dëshironte që brengat e tij t’i shprehte. Pas 40 minutave në mënyrë vullnetare, ka zbritur bashkë me mua”, ka thënë ai.