Arbëri

Tirana me park edukativ për fëmijët

Një park publik edukativ shumë shpejt do t’i shtohet kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, ku fëmijët do të mësojnë sjelljen në rrugë, si dhe rregullat e qarkullimit.

Ky park do të bëhet e mundur në sajë të një projekti inovativ të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor.

Siç raporton ATSH, kryeministri Edi Rama, theksoi sot se “projekti do ta bëjë Tiranën vendin e parë në rajon me një park edukativ për lëvizjen në rrugë, ku fëmijët do të argëtohen duke mësuar shenjat e rregullat e qarkullimit”.

“DPTRRSH është institucioni ku ndryshimi i përditshëm lehtëson hap pas hapi, marrëdhëniet deri dje rraskapitëse të drejtuesve të automjeteve me shtetin, ul kostot e rrit transparencën për qytetarët, si edhe projekton të ardhmen me ide të reja e projekte inovative”, tha Rama.

Në këtë park fëmijët do të mësojnë sjelljen në rrugë, rregullat e qarkullimit e si të jenë sa më të kujdesshëm dhe bashkëpunues.