Arbëri

Thirrja e mërgimtarëve për Kosovë më të mirë

Foto: Alban Bujari / KD

“Ma bre nanë, mos ban kështu”, thotë një djalë teksa mundohet të largohet nga përqafimi i fortë i së ëmës. Largon shikimin nga ajo për t’i fshehur sytë e mbushur me lot. Kap valixhen në njërën dorë dhe i drejtohet porteve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, për të marrë rrugën drejt Gjermanisë.

Pasi bën disa hapa, kthen kokën tinëz që ta shohë sërish nënën, e cila nuk ia hiqte shikimin, ndërsa qëndronte jashtë hyrjes së aeroportit, para së cilës edhe familjarë të tjerë po prisnin dhe përcillnin të afërmit. Ata që po largohen nga portet në anën e djathtë të aeroportit, po përqafojnë me mall njëri-tjetrin me shpresë që takimi i radhës të jetë i shpejtë dhe për gëzime.

Ndërkohë, të tjerë qytetarë me padurim po prisnin të afërmit që duhej të zbrisnin nga aeroplani. Mërgimtarët shfrytëzojnë çdo mundësi, gjatë dhe jashtë sezonit që të vijnë në vendlindje. Malli për vendin dhe familjarët janë arsyet që i shtyn ata që me gjithë koston e shtrenjtë të vijnë në Kosovë. Disa prej tyre, përveç lidhjeve familjare, kanë hapur edhe biznese këtu, shkruan Koha Ditore.

Paratë e fituara atje për vite, thonë se i kanë investuar në Kosovë. Por jo të gjithë janë të entuziazmuar të kthehen për të jetuar. Shkak për këtë i përmendin arsimin e dobët dhe shëndetësinë. Presin që Qeveria e ardhshme të bëjë ndryshime, në mënyrë që vendi të zhvillohet dhe t’i afrohet standardit të vendeve të Bashkimit Evropian. Vendet e perëndimit janë edhe referencë për atë se si do të duhej të ishte Kosova.

Fitojnë në mërgatë, investojnë në Kosovë

Serxhan Rexhepi nga Peja ka 29 vjet që jeton në Gjermani. Thotë se ishte vetëm dy vjet kur është larguar nga Kosova, por malli për vendin nuk i është shuar asnjëherë. Edhe pse tani e gjithë familja e tij jeton në Gjermani dhe nuk kanë familjarë këtu, ai thotë se vijnë 5-6 herë brenda vitit. Lidhjen me vendlindjen e kanë forcuar edhe me hapjen e disa bizneseve këtu. Ai bashkë me familjarët e tjerë bëjnë jetë paralele në të dy vendet. Derisa në Gjermani thotë se ka një ndërmarrje që merret me ndërtim, në Kosovë ka hapur një “Call Center” dhe kafene.

“Na vijmë shpesh. Në vit ka 5 herë, 6 herë. Na pëlqen vendi, sepse vendlindje është. Unë i kam pasur dy vjet kur kam shkuar, vëllai më i madh i ka pasur 5 vjet kur kemi shkuar në kurbet”, tregon Rexhepi.

Vitet që i ka kaluar në një vend jo shqipfolës, nuk kanë ndikuar që t’i harrojë gjuhën shqipe dhe zakonet shqiptare.

“Fëmijët flasin krejt shqip se na në shtëpi flasim gjuhën shqipe”, thotë ai.

Mbi valixhen që kishte para vetes kishte vendosur djalin e tij, rreth moshës trevjeçare, i cili i buzëqeshur, e pa preokupime po largohej nga vendlindja e prindërve.

“Kosova, vendi më i bukur në botë”

Kosova i duket vendi më i mirë në botë edhe një mërgimtari tjetër, i cili bashkë me bashkëshorten e tij po priste të mërkurën në aeroport për t’u kthyer në Hanover të Gjermanisë. Ka 20 vjet që bashkë me familjen e tij 6-anëtarëshe jeton në Gjermani. Por dytri herë brenda vitit vjen në vendlindje. Paratë e fituara në mërgim thotë se i ka investuar në Kosovë. Ka ndërtuar shtëpi dhe ka ndihmuar familjarët që kanë pasur nevojë.

“Kosovën na e shohim si atdhe, vend ma të mirë nuk besojmë që ka për neve, vendi më i mirë për të jetuar njerëzit është Kosova”, thotë ai.

Pranon se standardi i jetesës në perëndim është më i mirë, vendi është më i zhvilluar dhe njerëzit më të shkolluar, por shpreson që gradualisht Kosova ta arrijë shkallën e vendeve të Evropës.

“Në këtë kohë kam ardhur për qejf veç. Për dasma nuk vi. Por këtë vit një kushëri e ka martuar djalin, ka bërë dasmë të madhe me 500-600 persona. Por unë nuk po e shoh të arsyeshme me organizuar dasmë të madhe me gjithë ato shpenzime, e fëmijët e shumë familjeve të mos kenë ushqime e libra”, thotë ai.

Aktualisht tregon se nuk punon, ndërsa katër fëmijët e tij kanë përfunduar fakultetin dhe punojnë.

“Unë e kam shtëpinë time këtu dhe këtu vij. Krejt çka kam punuar jashtë kam investuar këtu”, tregon ai. Fëmijët thotë se kanë dëshirë të vijnë dhe se janë të lidhur shumë me vendlindjen dhe me familjarët këtu.

Kohë më parë ka treguar se ka kontribuar edhe në klube dhe shoqatë të shqiptarëve. Ka përmendur klubin “Jusuf Gërvalla” në Hannover, në të cilin thotë se ka ndihmuar dhe kanë grumbulluar mjete në mënyrë të organizuar që t’i ndihmojnë familjet në nevojë në Kosovë.

“Unë personalisht jam i lidhur me mish e me shpirt me Kosovën”, thotë ai.

Mërgimtari pret që pas zgjedhjeve të fundit, që u mbajtën në Kosovë më 6 tetor të këtij muaji, të krijohet një Qeveri që mendon në radhë të parë për qytetarin, e jo për përfitime personale që, sipas tij, kanë bërë qeveritë e deritanishme.

“Unë pres pas zgjedhjeve ndryshim të madh. Ka nevojë për ndryshim të madh, sepse këtu shteti është i kapur, ka qenë i kapur edhe gjatë luftës, e ka qenë nga okupatori dhe ka qenë një pjesë që ka punuar për interesa personale”, theksoni ai. Shpreson që brenda 4-5 vjetëve vendi të kthehet në gjendje të rregullt.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, remitencat në Kosovë, për periudhën e parë të vitit 2019, janë 332 milionë euro, pra 24 milionë euro më shumë se në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Ndërsa ndikimi i përgjithshëm i mërgimtarëve në ekonominë e Kosovës arrin në afro 800 milionë euro në vit.

Shteti prej të cilit vijnë më së shumti remitencat është Gjermania me 40.7%, më pas Zvicra, Italia dhe Austria.

Presin ndryshime nga Qeveria e re

Se gjendja në Kosovë nuk është aq e mirë e thotë mërgimtari Ramiz Deliu nga Gjilani. Ai jeton në Gjermani nga viti 1969 bashkë me dy fëmijët e tij. Pas dy muajve qëndrimi në Kosovë, ai të mërkurën është larguar për në Gjermani. Këtu thotë se nuk ka shtëpi të tij, por qëndron tek familjarët.

“Një herë në vit vij në Kosovë. Tash jam në pension. Kam punuar 45 vjet atje”, ka thënë Deliu.

Gjatë kohës kur ka punuar, thotë se u ka ndihmuar familjarëve, por që tani është në pension dhe se nuk ka se si t’iu ndihmojë. Tregon se dy fëmijët e tij janë shkolluar dhe kanë krijuar familje atje.

Ka treguar se atje ka shoqata të shqiptarëve, por që moshatarët e tij, ose kanë vdekur, ose janë kthyer në Kosovë dhe se nuk ka shumë shoqëri shqiptare që t’i qajë hallet për vendlindjen.

“Nuk ka përparuar shumë Kosova. Këtu njerëzit pa punë, e po më humbin fjalët, edhe me punu 300 euro i marrin, çka me ba me to”, thotë Deliu.

Sipas të dhënave të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë periudhës janarshtator numri i udhëtarëve ishte 1.841.609 persona. Ky numër është rritur për 10.75 për qind më shumë krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, ka thënë se qyteti i Zyrihut është top destinacioni i udhëtimeve në këtë aeroport. Ajo tregon se numri i udhëtarëve është rritur në vazhdimësi, por që rritja më e madhe vërehet gjatë sezonit të verës dhe atij dimëror në kohën e festave.

Por shumë mërgimtarë zgjedhin edhe mënyra të tjera të transportit për të ardhur në Kosovë. Disa preferojnë që të udhëtojnë me makina, pasi ndihen më komodë dhe mund të marrin më shumë gjëra me vete për t’i sjellë në Kosovë.

Mërgimtari F. M., i cili ka 8 vjet që është në Gjermani, ka thënë për gazetën se pothuajse çdo herë vjen në Kosovë me veturë. Ai tregon se në Gjermani ka krijuar biznes të tij, me të cilin ka arritur që të realizojë të ardhura për familjen e tij. Tregon se paratë që ka fituar atje i ka investuar në Kosovë, ku ka blerë banesë, të cilën thotë se e shfrytëzon kur vjen për pushime.

“Rrallë udhëtoj me aeroplan. Tani kam ardhur me makinë, pasi jam duke e mobiluar banesën dhe i kam sjellë disa gjëra këtu”, ka treguar F. M.

Me veturë thotë se e ka mundësinë që të shëtisë edhe vende të tjera, por edhe ta shfrytëzojë gjatë kohës që qëndron këtu për t’i vizituar familjarët.

Pavarësisht se jetojnë në shtete të ndryshme, se janë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, të gjithë kanë një thirrje dhe dëshirë të përbashkët - që atdheu i tyre të ndryshojë për të mirë.