Për herë të parë në botë, rreth 150 media nga afro 50 vende, së bashku me gazetarë dhe organizata për lirinë e shtypit anembanë botës janë bërë bashkë më 1 shtator për të përçuar porosinë: “Me ritmin me të cilin po vriten gazetarët në Gaza nga ushtria izraelite, së shpejti nuk do të mbetet askush që t’ju informojë”. Me iniciativë të RSF-së dhe CPJ-së, ato dënojnë publikisht vrasjen e rreth 200 gazetarëve palestinezë nga ushtria izrealite si dhe kërkojnë të drejtën për të dërguar korrespondentë në Gaza
KOHA është në mesin e më shumë se dyqind organizatave për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe redaksive ndërkombëtare që u janë bashkuar Reporterëve pa Kufij (RSF) dhe Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) në thirrjen publike që kërkon qasje të pavarur dhe të pakufizuar për gazetarët e huaj në Rripin e Gazës.
Për më shumë se 20 muaj, autoritetet izraelite kanë ndaluar gazetarët e huaj të hyjnë në Rripin e Gazës. Gjatë së njëjtës periudhë, ushtria izraelite ka vrarë rreth 200 gazetarë palestinezë në këtë territor të bllokuar, përfshirë të paktën 45 që u vranë për shkak të punës së tyre. Gazetarët palestinezë që vazhdojnë të raportojnë — dëshmitarët e vetëm në terren — po përballen me kushte të padurueshme, përfshirë zhvendosje të detyruar, uri dhe kërcënime të vazhdueshme ndaj jetës së tyre.
Si përgjigje ndaj kësaj, për herë të parë në botë, rreth 150 media nga afro 50 vende, së bashku me gazetarë dhe organizata për lirinë e shtypit anembanë botës janë bërë bashkë më 1 shtator për të përçuar porosinë: “Me ritmin me të cilin po vriten gazetarët në Gaza nga ushtria izraelite, së shpejti nuk do të mbetet askush që t’ju informojë”. Me iniciativë të RSF-së dhe CPJ-së, ato dënojnë publikisht vrasjen e rreth 200 gazetarëve palestinezë nga ushtria izrealite si dhe kërkojnë të drejtën për të dërguar korrespondentë në Gaza, për të raportuar së bashku me gazetarë palestinezë.
“Bllokada mediatike e vendosur mbi Gazën, e kombinuar me masakrimin e rreth 200 gazetarëve nga ushtria izraelite, po mundëson shkatërrimin dhe zhdukjen e plotë të këtij territori të bllokuar. Autoritetet izraelite po ndalojnë gazetarët e huaj të hyjnë dhe po ushtrojnë në mënyrë të pamëshirshme kontroll mbi informacionin. Kjo është një përpjekje e qëllimshme për të heshtur faktet, për të shtypur të vërtetën dhe për të izoluar shtypin dhe popullsinë palestineze”, ka deklaruar Thibaut Bruttin, drejtor i Përgjithshëm i Reporterëve pa Kufij. “Ne u bëjmë thirrje qeverive, institucioneve ndërkombëtare dhe krerëve të shteteve që të ndalin heshtjen e tyre bashkëfajtore, të sigurojnë hapjen e menjëhershme të Gazës për median e huaj dhe të mbrojnë një parim që shpesh shkelet: sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare, vrasja e një gazetari është krim lufte. Ky parim është shkelur shumë shpesh dhe tani duhet të zbatohet”.
Bllokada mediatike mbi Gazën vazhdon pavarësisht thirrjeve të përsëritura të RSF-së për të garantuar gazetarëve të huaj qasje të pavarur në Rripin e Gazës, si dhe veprimeve ligjore, si peticioni i Shoqatës së Shtypit të Huaj (FPA) në Gjykatën e Lartë të Izraelit. Ndërkohë, gazetarët palestinezë janë të bllokuar, të zhvendosur, të uritur, dhe të shënjestruar për shkak të punës së tyre. Sipas një raporti të CPJ-së, “ata që kanë mbijetuar nga kjo masakër e paparë ndaj gazetarëve, tashmë janë pa strehë, pa pajisje, pa kujdes mjekësor apo edhe pa ushqim”. Ata përballen me rrezikun që të vriten në çdo moment. Për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së vazhdueshme që po i lejon këto krime të ndodhin, RSF ka paraqitur në mënyrë të përsëritur raste në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC), duke e nxitur atë të hetojë krimet e dyshuara të luftës të kryera ndaj gazetarëve në Gaza nga ushtria izraelite. RSF gjithashtu po ofron ndihmë për gazetarët palestinezë në terren — veçanërisht në Gaza — përmes partneriteteve me organizata vendore si ARIJ (Arab Reporters for Investigative Journalism). Ky bashkëpunim u ofron gazetarëve palestinezë mbështetje psikologjike dhe profesionale, duke siguruar publikimin e vazhdueshëm të raportimeve cilësore, pavarësisht bllokadës dhe rreziqeve.