Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, priti ambasadorin e Kanadasë në Republikën e Kroacisë, i ngarkuar me punë edhe për Republikën e Kosovës, Daniel Maksymiuk, njfotn kumtesa qeveritare, transmeton Koha.net.
Vizita e ambasadorit u realizua me qëllim të koordinimit të hapave dhe shkëmbimit të informatave lidhur me projektet investive të cilat Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike është duke i promovuar, në veçanti kur bëhet fjala për minierat, turizmin dhe energjinë.
“Jemi të kënaqur që në Kanada, gjatë Panairit më të madh të minierave në botë (PDAC), do të mund të ofrojmë miniera të Kosovës ku kompanitë e mëdha kanadeze mund të investojnë. Tashmë kemi promovuar pakon favorizuese për investitorët strategjik, dhe kjo jemi të bindur që do të tregohet atraktive për këto kompani të vijnë dhe të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë”, tha zv. Kryeministri Gashi.
Në anën tjetër, ambasadori Maksymiuk informoi zv. Kryeministrin për angazhimin e deritashëm të kompanive kanadeze në Kosovë, duke shprehur edhe dëshirën që numri i tyre të rritet edhe më tej.