Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi uron popullin francez për Ditën e tyre Kombëtare

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Francës në Kosovë, për ndër të 14 korrikut, Ditës Kombëtare të Francës.

Presidenti Thaçi ka thënë se Dita Kombëtare e Francës, 14 korriku, shënon lindjen e vlerave të reja që promovuan lirinë, barazinë dhe vëllazërinë, jo vetëm në Francë, por shumë më gjerë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Këto vlera, sipas presidentit Thaçi, u bënë frymëzim për shumë popuj të botës për të mposhtur frikën, për të thyer shtypjen dhe për të fituar lirinë.

“Mbi këto vlera u ndërtuan shumë shtete moderne, të bazuara në vullnetin e popullit, unitetin kombëtar, qeverisjen e mirë, laicitetin, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Para të pranishmëve në këtë ceremoni, presidenti Thaçi ka theksuar se populli i Kosovës kujton me nderim këtë ngjarje, e cila ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm emancipues anembanë Evropës.

“Lufta për liri, pavarësi dhe shtetndërtimi në Kosovë ishin bashkim i aspiratave të popullit për një shtet sovran dhe i mbështetjes së fuqishme të miqve tanë ndërkombëtarë. Franca ishte shteti i parë që një ditë para shpalljes së pavarësisë futi Kosovën në hartën e shteteve të pavarura, derisa të nesërmen njohu pavarësinë tonë”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se kjo është një dëshmi se rrugëtimi jonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit ishte i përbashkët.