Arbëri

Thaçi thotë të ketë refuzuar pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ka refuzuar pjesëmarrjen në Samitin për Mini-Schengenin Ballkanik që po mbahet sot në Ohër.

Ai ka thënë se këtë e ka bërë bazuar në disa argumente.

“Si President i Republikes së Kosovës, dua të informoj qytetarët se, kam refuzuar pjesëmarrjen time në Samitin e Ohrit. Ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese. Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Një tjetër takim për Mini-Schengenin Ballkanik, Kosova sërish mbetet jashtë

Ai ka thënë se “Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave”.

“Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar”, ka shtuar më tej Thaçi.

Në fund ai ka shkruar se Kosova është e përkushtuar të tejkalojë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke.

“Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta”, ka përfunduar ai.

Më 9 tetor u mbajt takimi i parë në Novi Sad mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Sot kjo treshe po mban Samitin në Ohër, ndërsa atyre pritet t’u bashkohen edhe Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi me përfaqësuesit e tyre.