Një tjetër takim për Mini-Schengenin Ballkanik, Kosova sërish mbetet jashtë

Një tjetër takim për Mini-Schengenin Ballkanik, Kosova sërish mbetet jashtë

Fortuna Shkodra Fortuna Shkodra 09 November 2019 20:08

Një tjetër takim për Mini-Schengenin Ballkanik po mbahet pa Kosovën si pjesëmarrëse. Madje në takimin e radhës mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë e Serbisë, negociatat do të mbahen edhe me Malin e Zi e Bosnje e Hercegovinën, por jo edhe me Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, veçse kanë nisur takimin në Ohër, pas takimit që kishin në Novi Sad një muaj më parë. Pas takimit mes tyre, në një tjetër takim janë të ftuar edhe ministri i BeH Denis Zvizdiq e ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliq.

Pas Ohrit, takimi i radhës, ku do të diskutohet për përfshirjen e këtyre dy shteteve në marrëveshje, do të mbahet në Shqipëri.

Nga Qeveria në detyrë e Kosovës, kanë thënë për Koha.net se kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, nuk do të jetë pjesëmarrës.

Gjatë së shtunës Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe me Nait Hasanin, ambasador i Kosovës në Shqipëri, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ndërkohë, Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, për televizionin “tv Ora”, ka thënë se e ka të pamundur pjesëmarrjen në takim pasi ftesa i është dërguar sot, ndërsa ka thënë se gjendet jashtë Kosovës.

Demush Shasha nga Instituti Epik, në një përgjigje me shkrim për portalin Koha.net, ka thënë se që nga iniciativa për krijimin e kësaj zone mini-schengen është shkaktuar konfuzion. Megjithatë sipas tij, ka anë pozitive dhe negative të kësaj iniciative.

“Iniciativa për krijimin e zonës Mini Schengen që nga fillimi i saj ka shkaktuar një konfuzion në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi që menjëherë pas lansimit të saj u ngritën një numër pikëpyetjesh, si për shembull: Përse është lansuar kjo iniciative jashtë procesit të Berlinit? Përse tre vende të tjera të Ballkanit (Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi) nuk janë përfshirë në takimin lansues? Si është e mundur që përkundër që këto tre vende nuk u ftuan në takim, ato u përfshinë në deklaratën e miratuar? Kush ka dhënë pëlqim për këtë?”, ka pyetur ai.

Sipas Shashës, pozitive është konstatimi se iniciativa është në përputhje me obligimet dhe ambiciet e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Ai ka thënë se deklarata e përbashkët e tre krerëve të shteteve që u takuan në Novi Sad, më 9 tetor, ka marrë për bazë obligimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, duke përfshirë Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit të gjashtë vendeve respektive, Planin Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, të lansuar në Samitin e Triestes si pjesë e Procesit të Berlinit, Marrëveshjen CEFTA e Komunikatën e Komisionit Evropian “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për një angazhim të shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor”.

Analisti Shasha ka thënë tutje se ajo deklaratë me të drejtë i njeh sfidat e Ballkanit Perëndimor: Bruto-Produkti Vendor (BPV) i BE-së me çmimet e tregut, është 100 herë më i madh se i gjashtë vendeve të Ballkanit; Niveli mesatar i papunësisë në BE është pothuajse 3 herë më i ulët se në gjashtë vendet e Ballkanit; Kamionët humbasin afërsisht 26 milionë orë në vit në pikëkalimet kufitare brenda Ballkanit. Vonesat në kufi janë 5 herë më të gjata se në BE (info: Banka Botërore).

Shasha ka thënë po ashtu se deklarata synon të arrijë: Krijimin e tregut të përbashkët prej 20 milionë qytetarëve; Eliminimin e kontrolleve kufitare dhe pengesave të tjera të lëvizjes së lirë jo më vonë se në vitin 2021; Lëvizjen e lirë të qytetarëve të Ballkanit në rajon me kartë identiteti; Të drejtën e punësimit të qytetarëve kudo në rajon; Njohjen e ndërsjellë të diplomave në gjithë rajonin; Ngritjen e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe ndihma në rastet e katastrofave natyrore.

Ai ka thënë se është e paqartë që deklarata e trajton Kosovën në nivel të barabartë, edhe pse ajo s’ishte pjesë e takimit.

“Gjithashtu duhet nënvizuar faktin që deklarata trajton Kosovën në nivel të barabartë, sikur të gjitha vendet e tjera të rajonit. Sidoqoftë, mbetet e paqartë kush ka dhënë leje për përfshirjen e Republikës së Kosovës në deklaratën e miratuar, pasi që Kosova nuk ishte pjesë e takimit”, ka thënë ai.

Te anët negative, Shasha ka thënë se lansimi i ideve rajonale duhet të bëhet çdo herë në frymë të gjithëpërfshirjes, duke evituar ndarje.

“Lansimi i ideve rajonale duhet të bëhet çdo herë në frymë të gjithëpërfshirjes së të gjitha vendeve të rajonit, duke evituar kështu ndarjen e vendeve të Ballkanit në mes vendeve që lansojnë iniciativa të bashkëpunimit rajonal dhe atyre që u bashkohen atyre – gjithnjë duke nënvizuar vullnetin e plotë të deklaruar të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim sa më të afërt me qëllim të forcimit të paqes, barazisë, shtetit të së drejtës dhe prosperitetit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Në rastin konkret, është e paqartë përse nuk janë ftuar në takimin lansues tri vende (Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi), dhe mbetet e paqartë kush ka dhënë leje për përfshirjen e shteteve respektive në deklaratën e miratuar, pasi që ato nuk ishin pjesë e takimit”, ka deklaruar ai.

Shasha ka thënë po ashtu se sfidat e identifikuara në kuadër të deklaratës së parë, nuk janë të reja. Sipas tij, me ato sfida rajoni ballafaqohet qe një kohë të gjatë dhe kjo e ka bërë të paqartë pse është krijuar një mekanizëm i ri.

“Po ashtu, duhet nënvizuar se sfidat e identifikuara në kuadër të deklaratës së miratuar më 9 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë, nuk janë sfidat e reja. Këto janë sfidat me të cilat rajoni ballafaqohet qe një kohë të gjatë. Procesi i Berlinit është krijuar pikërisht për të adresuar këto sfida në bashkëpunim me shtetet anëtare të BE-së, siç janë Gjermania dhe Franca. Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave, BE-ja ka alokuar edhe mjete financiare për të asistuar vendet e Ballkanit në këtë drejtim. Prandaj, është e paqartë se përse është krijuar një mekanizëm i ri, jashtë procesit të Berlinit i cili efektivisht përjashton nga pjesëmarrja vende kyçe të BE-së. Në këtë drejtim është e paqartë se si një iniciativë e re politike, por me pjesëmarrje më të kufizuar politike se procesi i Berlinit, do të arrijë rezultate më të mira”, ka thënë Shasha në analizën e tij.

Në fund ai ka thënë se Shqipëria e Kosova duhet të zhvillojnë koordinim më të afërt para lansimit apo pjesëmarrjes në çfarëdo iniciative të këtillë.

“Në fund, konsideroj se Shqipëria dhe Kosova duhet çdo herë të zhvillojnë një koordinim të afërt para lansimit apo pjesëmarrjes në çfarëdo iniciative të bashkëpunimit rajonal, evropian apo ndërkombëtar. Vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, nuk kanë asnjë interes që t’i ofrojnë mbështetje iniciativës së Mini-Schengenit, e cila efektivisht minon procesin e Berlinit, dhe përjashton nga partneriteti vendet kyçe të BE-së, siç janë Gjermania, Franca, Anglia, Austria, Kroacia, etj”, ka thënë Shasha teksa ka shtuar se “Kosova dhe Shqipëria duhet të insistojnë se të gjitha sfidat e identifikuara të trajtohen në partneritet me vendet mike të BE-së përmes procesit të Berlinit, dhe në përputhje me perspektiven e rajonit për anëtarësim në BE”.

“Çdo devijim nga kjo minon agjendën integruese të Ballkanit dhe ofron hapësirë për influencë dhe veprim të aktorëve të jashtëm të cilët paraqesin rrezik për vlerat euro-atlantike”, ka përfunduar ai.

Ditë më parë, në Rubikon të KTV-së, Gent Cakaj, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë kishte thënë se Shqipëria do të largohet nga kjo iniciativë nëse Serbia bën probleme në raport me Kosovën.

“Shqipëria s’bëhet pjesë e asnjë iniciative ku përjashtohet Kosova. Kjo iniciativë nuk është finalizuar ende sepse pritet kontributi i shteteve tjera të Ballkanit. Përfshirja e Kosovës është kusht që Shqipëria të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj iniciative”, kishte thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme