Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Gjenevë të Zvicrës, ku do të marrë pjesë në takimin dyditor të liderëve me temë “Dialogu strategjik për Ballkanin Perëndimor”, njofton kumtesa presidenciale, transmeton Koha.net.
Në këtë forum, pjesëmarrësit do të diskutojnë gjerësisht rreth modaliteteve për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet politikëbërësve në dobi të një Ballkani të qëndrueshëm. Duke identifikuar sfida dhe objektiva të përbashkëta, pjesëmarrësit do të diskutojnë edhe sesi bashkësia ndërkombëtare përmes bashkëpunimit publiko-privat mund të mbështesë rritjen dhe stabilitetin në rajon.
Në mesin e liderëve të tjerë pjesëmarrës janë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Ursula von der Leyen, Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, Ministrja për Presidencën Bullgare të Këshillit të Bashkimit Evropian 2018, Lilyana Pavlova, Zëvendëssekretarja e Shtetit dhe Zëvendësdrejtoresha Politike në Departamentin Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Krystyna Marty, njëherësh ish-Ambasadore e Zvicrës në Kosovë, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, etj.
Gjithashtu, në cilësinë e nikoqirëve do të jenë Klaus Schwab, themelues dhe drejtor ekzekutiv pranë Forumit Ekonomik Botëror, ish-Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Børge Brende, president dhe anëtar i bordit drejtues në Forumin Ekonomik Botëror, si dhe Martina Larkin, Drejtoreshë e Departamentit për Strategji Rajonale, Evropë dhe Azi, si dhe anëtare e komitetit ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror.
Ky takim i liderëve në Gjenevë vjen pas dialogut aktual mbi të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
-
Presidenti Thaçi merr pjesë në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit
-
Thaçi panelist në Forumin Ekonomik Botëror në Davos
-
Thaçi: Në Davos do të shprehë synimet e Kosovës për integrimin evropian
-
Vuçiqi pret shkëmbim argumentesh “jo të lehta” me Thaçin në Davos
-
Thaçi udhëton për Bruksel, merr pjesë në samitin e Friends of Europe