Konsensusi apo pajtimi ndërpartiak ka qenë kryefjala e forumit të politikave me krerët institucionalë dhe partiakë në Prishtinë, raporton KTV.
Në hapje të diskutimit, presidenti Thaçi ka thënë se dialogu me Serbinë është rruga e vetme për të ecur drejt integrimit evropian.
Ai ka mirëpritur platformat e prezantuara nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, për konsensus të përgjithshëm politik, si dhe të qeverisë për finalizimin e dialogut me Serbinë, ku presidenti autorizohet për t’i udhëhequr negociatat.
Presidenti është shprehur i bindur se dekada e ardhshme e Kosovës do të sjellë anëtarësim në OKB dhe NATO.
Ai u shpreh optimist se gjatë kësaj periudhe do të ndodhë anëtarësimi në BE.
Edhe kryeministri Haradinaj, ka shprehur nevojën e konsensusit ndërpartiak për temat e mëdha.
Ka thënë se liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit, derisa ka dhënë afat kohor edhe për marrjen e statusit kandidat në BE.
Kryeparlamentari Veseli, ka lavdëruar platformën e tij konsensuale, duke thënë se në Kosovë duhet të mbizotërojë kjo frymë politike. Më kritikë për qeverisjen Haradinaj dhe gjendjen aktuale në vend, janë shprehur nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri dhe Visar Ymeri nga Grupi i Deputetëve të Pavarur.