22:15 - Me një reflektim serioz nga Republika e Serbisë, sipas kryeparlamentarit, Kadri Veseli, dialogu për normalizim të marrëdhënieve mund të përfundojë në fillim të vitit 2019.
“Kjo është edhe njëra ndër arsyet pse kam dalë me Platformë dhe në të njëjtën kohë se kjo është një arsye që nuk kemi kohë që të merremi shumë me vetën mirëpo të përcaktohemi që në fund të vitit eventualisht fillim të vitit ta përmbyllim etapën e dialogut dhe marrëveshjes e cila Kosovës i hap rrugë drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai.
Veseli pret mbështetjen e LDK-së për propozimin që Thaçi të udhëheqë bisedimet
21:59 - Platforma e kryeparlamentarit Kadri Veseli, për unitet politik propozon që udhëheqës i ekipit për bisedime me Serbinë të jetë presidenti i vendit, Hashim Thaci.
Në intervistën për Rubikon të KTV-së ai ka përsëritur se i qëndron prapa një propozimi të tillë.
Ndonëse thotë se është i hapur për propozime të tjera, ai pret mbështetjen e LDK-së, siç thotë ai, ashtu siç kanë bërë në procesin e marrëveshjes së Demarkacionit.
“Ka një reflektim nga një pjesë e opozitës. Lidhja Demokratike ka treguar reflektim edhe në demarkacion edhe unë besoj në këtë reflektim pozitiv”, theksoi ai.
Veseli flet për “Aferën Pronto”, thotë është bërë praktikë në Kosovë të punësohen militantët
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në një intervistë për Rubikon të KTV-së foli për aktakuzën ndaj “Aferës Pronto”.
Ai tha se nuk do të ndërhyjë në këtë proces dhe se ky është qëndrim i Partisë Demokratike të Kosovës.
“Nuk është mirë disa të tregohen më katolikë se Papa”, deklaroi Veseli duke ju drejtuar subjekteve të tjera politike, e qe sipas tij, në këtë aspekt nuk qëndrojnë më mirë.
“Secila parti, qoftë në Komuna qoftë në dikastere qendrore e kanë ndërtuar një praktikë kur militantë partiakë shkojnë më tepër dhe orientohen atje për tu emëruar atje. Nuk e pranoj si fakt dhe jam duke u munduar ta ndryshoj", ka thënë ai.