Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi në telefon me Borrellin i kërkon që BE-ja t’i heqë vizat

Bisedën telefonike me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, e ka kumtuar tash edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Me të thotë të kenë diskutuar për perspektivën evropiane dhe zhvillimet në Kosovë e rajon.

Në njoftimin për media nga presidenca, thonë se Thaçi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së u pajtuan për nevojën e themelimit sa më shpejtë të institucioneve të reja qeverisëse në Kosovë.

LEXO EDHE: Borrelli telefonon Thaçin e Vuçiqin, kërkon rifillimin e dialogut

“Jemi të vetëdijshëm që na presin detyra të mëdha dhe se është e nevojshme që sa më parë të kemi Qeveri të re, që do të përballet me sfidat dhe do t’i realizojë obligimet ndërkombëtare që ka Kosova”, u shpreh presidenti Thaçi.

Thaçi, thuhet në kumtesë, ka theksuar se Kosova është e përkushtuar t’i përfundojë reformat që ka nisur dhe të cilat janë përcaktuese për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Presidenti Thaçi kërkoi që BE-ja ta përmbushë obligimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.

Edhe Borrelli shpreson që masat ndaj Kosovës të hiqen shpejt, edhe pse gradualisht Arbëri Borrelli shpreson që masat ndaj Kosovës të hiqen shpejt, edhe pse gradualisht

“Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet. Parlamenti dhe Komisioni Evropian kanë rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vendim meritor në këtë pikë”, tha presidenti Thaçi në bisedën telefonike me Përfaqësuesin e Lartë Borrell.

Presidenti Thaçi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së u pajtuan rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.

Në fund të bisedës, presidenti Thaçi ka thënë se e mirëpret vizitën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, në Republikën e Kosovës.