Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur marrëveshjen e arritur ndërmjet partive politike për të ratifikuar Marrëveshjen e shënjimit të kufirit me Malin e Zi.
Ai thotë se ky konsensus i arritur përfundimisht i siguron lëvizjen e lirë qytetarëve të Kosovës, transmeton Koha.net.
“Marrëveshja e sotme e partive politike për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, është një lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës. Uroj të gjithë përfaqësuesit e këtyre partive politike për konsensusin e arritur, i cili përfundimisht siguron lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen”, ka shkruar Thaçi.
Ai ka shtuar se ky unitet politik duhet të shërbejë si kornizë afatgjate për zgjidhjen e temave nacionale.
“Ky unitet politik duhet të shërbejë si një kornizë afatgjate për gjetjen e zgjidhjeve për temat nacionale, të cilat kërkojnë vullnet dhe gatishmëri për të tejkaluar interesat e ngushta partiake dhe private”, ka shkruar ai në Facebook.