Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi kërkon mandatar për kryeministër, Veseli shpërbërjen e Kuvendit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një shkrese zyrtare, ka kërkuar nga bartësi i koalicionit fitues (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate ), i zgjedhjeve të fundit, Kadri Veseli, që të propozojë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Në letrën e presidentit Thaçi drejtuar Veselit, thuhet se si “koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Dërgimi i kërkesës është konfirmuar nga zyra e Thaçit dhe Veselit për Radion Evropa e Lirë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thirrur për të hënën Kryesinë e Kuvendit për mbajtjen e një seance, me të vetmen pikë të rendit të ditës, shpërbërjen e Kuvendit.

Diskutimet për formimin e qeverisë së re kanë ardhur pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, meqë është ftuar nga Prokuroria Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, partitë politike parlamentare shqiptare, janë duke pritur që pas konsultimeve që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur me deputetët e partive politike nga radhët e komuniteteve, t’i ftojë edhe ato për t’u konsultuar lidhur me zhvillimet politike.

Shumica e partive politike parlamentare tashmë janë deklaruar se vendi duhet të shkojë në një proces të ri zgjedhor, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thënë të premten se ende nuk ka marrë ftesë nga presidenti Hashim Thaçi për të biseduar për gjendje aktuale dhe një proces të ri zgjedhor.

Haradinaj është shprehur se partia që drejton, është e interesuar të shpërbëjë Kuvendin dhe se do t’i bashkohet mocionit për një gjë të tillë dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë për Radion Evropa e Lirë, se presidenti duhet të thërras në konsultim partitë e koalicionit PAN për të provuar mundësinë e krijimit të një qeverie të re.

Haliti thotë se nëse kjo nuk arrihet duhet të shkohet në variantin e dytë që janë zgjedhjet.

"Ky është obligim kushtetues që ka presidenti dhe ta provojë dy herë sipas rregullave, për të pasur mundësi për ta zgjedhur qeverinë e re dhe nëse nuk ka mundësi të bëhet kështu, atëherë ai duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja", thotë Haliti.

Haliti konsideron se do të ishte një gabim i madh nëse do të ketë një vetëshpërbërje të Kuvendit të Kosovës, derisa nuk do të ketë shterje të mundësive të tjera.

"Parlamenti nuk është fajtor pse ka dhënë dorëheqje kryeministri. Parlamenti do të duhej të shqyrtonte mundësin e krijimit të qeverisë së re, le të votoj kundër, por mendoj se kështu do të duhej të bëhej", thekson Haliti, duke shtuar se në çdo rast PDK-ja është e gatshme edhe për një proces të ri zgjedhor.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

Artikuj të ngjashëm