Në vazhdën e dekoratave që po i ndan kreu i shtetit Hashim Thaçi, sot ka dekoruar edhe këshilltarin e vet, Blerim Shalën.
“Me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë, sot e dekorova politikanin, publicistin dhe intelektualin e shquar Blerim Shala, për kontributin e tij të gjatë në gazetari, publicistikë. Po ashtu edhe për pjesëmarrje e tij në Delegacionin e Rambujesë, rolin si koordinator i Ekipit të Unitetit gjatë negociatave për zgjidhjen e statusit final të Kosovës si dhe për aktivitetin e tij të pareshtur për demokratizimin e skenës politike të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Gjatët ditës ai ka ndarë dekoratën edhe për Sami Lushtakun, ish-komandant i UÇK-së.
“Me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit pavarësisë, dekorova gjeneralin Sami Lushtaku, njërin nga komandantët më të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Z. Lushtaku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Gjithashtu medaljen e ka marrë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi.
“Me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë e dekorova ish kryeministrin e Kosovës, veprimtarin e shquar të demonstratave të viti 1981, rektorin e Universitetit “Kadri Zeka” të Gjilanit, Bajram Kosumi. Bajram Kosumi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Konferencën e Rambujesë si dhe në demokratizimin e skenës politike të Kosovës”.
