Arbëri

Thaçi: Gjoba për ata që hedhin mbeturina në hapësira publike më shumë për vetëdijesim

Halil Thaçi

Komuna e Obiliqit ka vendosur masa ndëshkuese ndaj qytetarëve dhe bizneseve që hedhin mbeturina në hapësira publike, duke vendosur gjoba nga 200 deri në 1 mijë euro. Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, ka theksuar se ky vendim ka për qëllim kryesisht vetëdijesimin e qytetarëve dhe jo ndëshkimin e tyre.

Sipas Thaçit, gjoba prej 200 eurosh do të aplikohet për persona fizikë, ndërsa deri në 1 mijë euro për bizneset që hedhin mbeturina pa vend. I ka lutur qytetarët për bashkëpunim për ta mbajtur ambientin e pastër.

Ai ka thënë se problemi i ndotjes është tejet i theksuar dhe ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në vërshimet e fundit në Kosovë.

“Kam ngritur një komision për të identifikuar pikat kritike nga vërshimet dhe në 18 prej tyre, ku lumenjtë kanë dalë nga shtrati, shkaku kryesor ka qenë faktori njeri dhe hedhja e mbeturinave”, ka thënë Thaçi në emisionin “SOT” të KTV-së të mërkurën.

Ai shtoi se komuna ka ndarë një lokacion të posaçëm për mbeturinat inerte dhe se qytetarët do të informohen në ditët në vijim për vendin ku mund t’i hedhin ato në mënyrë të rregullt.