Arbëri

Thaçi e cilëson si ndëretnik sulmin që në Istog s’dihet kush e kreu

Kreu i shtetit Hashim Thaçi, e ka dënuar sulmin ndaj lokacionit të përgatitur për kthimin e disa familjeve serbe në fshatin Dragolec të Istogut. Ka thënë se kjo e dëmton paqen, teksa ka shprehur bindjen se e ardhmja nuk mund të krijohet duke mbetur peng i të kaluarës.

Por ndonëse Policia e Kosovës zyrtarisht nuk e ka saktësuar nacionalitetin e keqbërësit, i pari i vendit nuk ka hezituar ta cilësoj si incident ndëretnik atë që ka ndodhur në këtë fshat të Istogut. Policia e Kosovës, madje thotë se dëmi i shkaktuar i takon pronarit të kompanisë që po kryen punët meqë ajo ende nuk ka dorëzuar çelësat te pronari i shtëpisë së re.

“Kthimi i familjeve të zhvendosura prej pronave të tyre është një proces i drejtë dhe çdo incident ndëretnik, sado i vogël të jetë, e dëmton paqen, stabilitetin dhe procesin e pajtimit në shoqërinë tonë shumetnike. Incidentet si ky i sotmi në fshatin Dragolec të Istogut, ku është sulmuar lokacioni i përgatitur për shtëpitë e të kthyerve, janë të dëmshme për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook, përcjell Koha.net.

Thaçi ka thënë se është për mirëseardhje kthimi vullnetar dhe spontan i 13 familjeve në fshatin Lubozhdë dhe procesi duhet të përkrahet nga të gjithë, jo të pengohet.

“Çdo qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim përkatësie etnike, ka të drejtë të kthehet dhe të jetojë në pronën e tij. I ftoj institucionet e vendit që të bëjnë më shumë për lehtësimin e kthimit të të zhvendosurve, si dhe për sigurinë dhe integrimin e tyre në shoqëri. Nuk mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë nëse mbesim peng të së kaluarës”, ka shtuar më tej Thaçi.

Image

Më parë, Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se ka ndodhur një rast i vënies së zjarrit në fshatin Dragolec të Istogut.

“Njoftoheni se sot më date 03.04.2017, rreth orës 08:10, Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është njoftuar për një rast të Zjarrëvënjes Në Fsh. Dragolevc K.K.Istog. Sipas ankuesit Kosovar/Shqiptar N.I.1967, pronar i kompanisë së ndërtimit të shtëpive, në fshatin e përmendur kishte vërejtur se persona të panjohur në kohë të pacaktuar gjatë natës kishin vënë zjarrin derës se hyrjes të një shtëpie të pa përfunduar si dhe të disa copave të materialit ndërtimor stiropor”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia njofton se shtëpia ishte në ndërtim e sipër për pjesëtarin e komunitetit serb por e njëjta ishte e papërfunduar dhe ende nuk i ishte dhëne ne pronësi-shfrytëzim pronarit.

“Dëmi i shkaktuar sipas vlerësimit të punë kryesit ishin të vogla. Nuk kishte të lënduar, Njësitet relevante të Policisë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura hetimore, është njoftuar prokurori i Shtetit, dëmi material i është shkaktuar kompanisë së ndërtimit e cila punët i kryen përmes IOM-it. Vlerësim i Prokurorit të shtetit është se viktimë e këtij rasti deri në momentin e dorëzimit të shtëpisë tek pronari i kësaj shtëpie dhe shtëpive të tjera në ndërtim i takon kompanisë së ndërtimit dhe përgjegjësitë i bartë kompania e ndërtimit të këtyre shtëpive, dëmi në këtë rast iu ka shkaktuar kompanisë”, thuhet më tej aty.

Portali Koha.net ka kontaktuar me zyrtarët për informim të Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, pas deklaratës së Thaçit në Facebook. Xhevat Ibraj ka thënë se për këtë rast nuk ka kurrfarë risie dhe se të gjitha detajet e njohura deri tani janë në komunikatën e lëshuar për media.