Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHBA-ja e OSBE-ja reagojnë pasi një serbi në Istog i digjet shtëpia

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe misioni i OSBE-së në Kosovë kanë dënuar djegien e një shtëpie në fshatin Veriq të Istogut, ku supozohej të banonte një serb i Kosovës. Ata kanë bërë thirrje që autoritetet e vendit ta hetojnë rastin.

Policia e Kosovës ka thënë se ishte njoftuar për rastin të hënën, 10 korrik, në mëngjes nga fqinji i viktimës. Në vendngjarje kishin dalë zjarrfikësit e njësitet e tjera, kanë thënë nga PK-ja.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka dënuar sulmin. Ai ka shkuar në shtëpinë e djegur dhe nga aty ka dënuar këtë veprim.

“E vizitova që ta shoh vetë, me lejen e familjes, e cila kishte qëllim të rikthehej në pronën e saj. E dënoj këtë sulm dhe këtë përpjekje për të frikësuar një familje nga ushtrimi i të drejtës së saj për t’u rikthyer në shtëpinë e tyre”, ka thënë Hovenier.

E, OSBE-ja ka thënë se fajtorët për këtë veprim duhet të sillen para drejtësisë.

“Bashkë me institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, fuqishëm mbështesim rikthimin e personave të zhvendosur, në përputhje me mandatin tonë për të drejtat e njeriut dhe pajtim”, ka shkruar OSBE-ja.

Edhe Sveçla kërkon hetim të shpejtë të djegies së shtëpisë së një serbi në Istog Arbëri Sveçla kërkon hetim të shpejtë të djegies së shtëpisë së një serbi në Istog

Sulmin e ka dënuar edhe kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati. Ai ka thënë se Republika dhe komuna që ai drejton “janë të të gjithë qytetarëve pa dallim, ashtu siç theksohet në Kushtetutën e vendit tonë, prandaj mirëpres gatishmërinë e institucioneve të Republikës dhe Ambasadës amerikane për të vazhduar mbështetjen për familjen e prekur dhe të gjithë të kthyerve në komunën tonë”.

Ai ka shtuar se shtëpia sapo ishte ndërtuar për të kthyerin, Svetisllav Veriqi.