Arbëri

Tetë vjet nga vdekja e Nekibe Kelmendit, e përkujton Mustafa

Sot bëhen tetë vjet që kur u nda nga jeta, nënkryetarja e LDK-së, dhe deputetja Nekibe Kelmendi.

Kelmendi kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Prishtinë më 1968. Menjëherë pas mbarimit të studimeve, ushtroi detyrën e gjyqtares, kurse nga viti 1974 deri më 1976, ushtroi profesionin e avokatisë, duke u bërë kështu gruaja e parë avokate shqiptare.

Më pas, sërish ka punuar si gjyqtare deri në vitin 1987, kur u diferencua si edhe pjesa më e madhe e punonjësve shqiptarë nga ana e regjimit të Millosheviqit.

Ishte një nga bashkëthemelueset e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe një nga funksionaret e larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas luftës, nga janari i vitit 2000 deri në nëntor vitit 2001 ka qenë bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Kurse, përveç postit të deputetes, ajo ka qenë edhe ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës.

Kelmendi ka marrë pjesë edhe në grupin e ekspertëve në kuadër të Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës, si dhe në grupin e ekspertëve për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Nekibe Kelmendi lindi më 11 maj 1944 në Pejë, kurse vdiq më 19 qershor 2011, në moshën 67 vjeçare, në Prishtinë.

Me rastin e 8 vjetorit të vdekjes së ish-nënkryetares së LDK-së, Kryesia e kësaj partie, bëjnë homazhe te varri i saj 

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përkujton nënkryetaren e LDK-së, veprimtaren Nekibe Kelmendi, në tetë vjetorin e ndarjes nga jeta.

“Nekibe Kelmendi ishte intelektuale dhe veprimtare e dalluar, që përkundër sfidave të mëdha e deshi shumë Kosovën dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e saj.

Nekibes, thotë Mustafa, në shenjë hakmarrjeje për veprimtarinë atdhetare, okupatori serb ia masakroi bashkëshortin, Bajram Kelmendin dhe dy djemtë, Kastriotin dhe Kushtrimin. Mbi këtë dhimbje të madhe ajo kultivoi idealin e shtetit të pavarur dhe demokratik.

“Nekibja ishte personalitet i kompletuar, e cila në kohët më të vështira për Kosovën u shndërrua në simbol të sakrificës dhe përkushtimin të gruas së fuqishme kosovare për të dhënë gjithçka për vendin. Nekibja ishte grua që kishte durim dhe guxim për të shprehur qartë qëndrimet e saj. Sot, me Nekiben përkujtojmë të gjitha gratë dhe veprimtaret tona kosovare që përkundër rezistencës së madhe në jetën e tyre, veprimtarinë ia kushtuan shtetndërtimit tonë”, përfundoi Mustafa.