Testet kombëtare për nxënësit e klasave të nënta dhe të dymbëdhjeta po vlerësohen me mungesë të kredibilitetit nga njohësit e fushës së arsimit, madje kërkohet që të rimendohet nëse duhet të organizohen teste të tilla. Kopjime e me parregullsi ndër vite janë përcjellë këto teste. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se do të penalizohen administratorët që i lejojnë nxënësit të përdorin telefonat.
Grupet në rrjetet sociale që shërbenin për shpërndarjen e përgjigjeve të Testit të Arritshmërisë vazhdojnë të jenë të hapura dhe të mobilizuara.
Të martën nxënësit e klasave të nënta do t’i nënshtrohen pjesës së dytë të testit në lëndët shkencore. E në Ministrinë e Arsimit thonë se do të ndërmerren masa ndaj çdo administratori që do të lejojë kopjimin.
“Ndaj gjashtë administratorëve që i kemi vërtetuar që nuk i kanë përfillur rregullat janë ndërmarrë masat, kurse rrjetet sociale sigurisht që duhet të vërtetohen dhe hetohen. Sipas nxënësve, ka edhe mësimdhënës që kanë hyrë në këto rrjete sociale, sigurisht se ata do të identifikohen dhe do të ndërmerren masa ndaj tyre”, Fatmir Elezi, drejtor në Divizionin për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim i MASHTI-t.
Nxënësit e klasave të nënta thonë se kanë qenë në dijeni për këto grupe, por kyçja në to ka qenë e vështirë.
"Mund të themi se kemi provuar nëse mundemi me u kyç, por kanë qenë shumë të pakta pasi kanë qenë grupe private. Unë për vete mund të them jo, pastaj pas testit e kemi parë se ka pasur të shpërndara pyetje-përgjigje e kështu me radhë", ka thënë Era Hysa, nxënëse në shkollën “Gjergj Fishta”, Prishtinë.
Një grup në viber për shpërndarje testesh e përgjigjesh, gjatë ditës së parë të mbajtjes së testit, ka numëruar deri në 10 mijë pjesëmarrës, thonë në organizatën “ETEA”.
Kredibiliteti i testeve kombëtare nuk është në nivelin e duhur, thotë drejtori i kësaj organizate Agon Ahmeti.
“Çfarëdo masash që merren për ta parandaluar dhe dënuar këtë fenomen mendoj që është e arsyeshme, pra edhe përsëritja e testit është e arsyeshme, pse jo edhe masa shumë më rigoroze, meqenëse veç kanë arritur ta organizojnë në mënyrë të mirëfilltë. Ky test dhe testet nacionale ndoshta është mirë të rimendohet se a duhet të organizohen si të tilla”, ka thënë Agon Ahmeti, drejtor në organizatën “ETEA”.
Kopjime e parregullsi në testime kombëtare janë evidentuar çdo vit për shkak të kësaj, sipas Raportit të Auditorit, ka mospërputhje ndërmjet vlerësimit të performacës së nxënësve gjatë procesit mësimor dhe vlerësimit në testet kombëtare.