Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Testi PISA-2018 në Prishtinë vazhdon më 16 e 17 prill

Më 12 prill në Komunën e Prishtinës ka filluar procesi i vlerësimit ndërkombëtar PISA-2018, ndërsa po zhvillohet edhe sot, e do të vazhdojë edhe në datat 16 dhe 17 prill.

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës në koordinim me drejtuesit e institucioneve edukativo-arsimore, koordinatorët dhe mësimdhënësit e shkollave, në funksion të një procesi të mbarë dhe të suksesshëm iu kanë qasur me shumë seriozitet dhe profesionalizëm këtij testimit, duke realizuar të gjitha përgatitjet e duhura me kohë të paraparë dhe sipas kërkesave dhe standardeve të kërkuara, thuhet në njoftimin për media të kësaj drejtorie.

Për të parë nga afër rrjedhën e procesit të testimit, drejtori i Drejtorisë së Arsimit z.Jonuz Salihaj me bashkëpunëtorë realizuan vizita në institucionet edukativo-arsimore ku po mbahet testi, për t’i inkurajuar nxënësit.

Në Komunën e Prishtinës këtij procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen nxënësit e 23 institucioneve arsimore publike dhe private, të cilët kanë lindur gjatë vitit 2002 dhe testi do të organizohet në shkencë, lexim dhe matematikë.

Vlerësimi i tillë do të jetë sa sfidues, edhe i dobishëm për sistemin e arsimit të Kosovës, sepse do të nxjerrë në pah gjendjen reale të arsimit dhe do të na orientojë‒tregojë, se ku janë përparësitë dhe dobësitë e arsimit në Republikën e Kosovës.