Arbëri

Testi i radhës për komunikacionin në Prishtinë, kryetari Rama pret rekomandimet

Pesëmbëdhjetë ditë pas testimeve të qarkores njëkahëshe brenda qendrës së qytetit të Prishtinës, Taskforca e Komunikacionit do t’i drejtohet me rekomandime kryetarit Përparim Rama, nëse ato rezultojnë me të dhënat e nevojshme. Në të kundërtën, sipas Taskforcës do të bëhet edhe një test tjetër. Kryetari i kësaj Taskforce, Halil Halili, ka thënë se këto të dhënat do të shndërrohen në rekomandime për mënyrën se si do të bëhen ndryshimet infrastrukturore për ta rregulluar trafikun

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se po i afrohet fundit të testimeve të qarkullimit njëkahor në unazën kryesore të saj. Në Taskforcën që është marrë me testet kanë thënë se edhe një test tjetër është i mundshëm, porse procesi i testimeve mund të përfundojë këtë të diel.

Halil Halili, shef i Taskforcës së Komunikacionit, ka thënë se testi i së dielës do të jetë i fundit nëse rezulton se kanë mbledhur të dhëna të mjaftueshme për trafikun.

“Në qoftë se marrim informata të duhura, besoj se do ta shqyrtojmë edhe një test në qoftë se është e nevojshme e në qoftë se kemi informata të duhura që na i plotësojnë këto parametrat e nevojshme, por do ta shikojmë me taskforcën ku edhe janë edhe anëtarët e tjerë që do ta bëjnë vlerësimin”, ka thënë Halili.

Në një intervistë të dhënë për KOHËN përmes telefonit, Halili ka thënë se nuk do të vonojë shumë as dërgimi i rekomandimeve te zyra e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Siç ka thënë Halili, atij do t’i jepet raporti me rekomandime më pak se një muaj pasi t’i mbledhin të gjitha të dhënat e nevojshme.
“Nëse kemi informata, 15 ditë mund të jenë. 15 deri në 20 ditë. Ne duhet të marrim informata, ne duhet të dalim edhe një herë në terren ta marrim edhe ditën normale të së hënës e të së martës, të dalim edhe një herë ta marrim edhe një matje, edhe një konstatim. Ka edhe pak punë, por besoj ia arrijmë e ia dalim... Ne e dërgojmë raportin te kryetari si Taskforcë”, ka thënë Halili.

Të dhënat që po i mbledh Taskforca do të shndërrohen në rekomandime për Komunën e Prishtinës, në mënyrë që të bëhen ndryshime infrastrukturore për ta rregulluar trafikun në unazën kryesore të kryeqytetit që mundëson qarkullimin njëkahor dhe për ta zgjatur sheshin deri te Katedralja, “Nënë Tereza”.
“Duhet ta bëjmë një raport të auditimit të rrugës, se cilat janë të metat, se cilat janë problemet, se cilat janë kushtet që duhet të krijohen (më të mira) si për këmbësorët, ashtu edhe për vozitësit e veturave dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion... Në bazë të rrjedhës së informatave prej terrenit dhe analizave nga ekspertët të fushave të trafikut dhe të ndërtimit, në bazë të atij raporti e shqyrtojmë se cilat janë pjesët ku është e domosdoshme të intervenohet për ta bërë një qarkore funksionale apo se si do të veprohet në të ardhmen”, ka thënë Halili.

E shtuna ka qenë dukshëm me e qetë, përkundër se ka vazhduar testi në rrugët e kryeqytetit. Për dallim nga e premtja, qarkullimi në unazën e qendrore ka qenë më i lehtë. Të rritur e fëmijë kanë ecur e kanë luajtur futboll të vogël, basketboll e pingpong në pjesën që njihet si “Tri kapelat” në afërsi të Katedrales. E qytetarët nëpër vetura kanë thënë se qarkullimi është liruar shkaku i shkarkimit nga veturat në fundjavë, që ndodh rregullisht në Prishtinë.

“Dje ishte katastrofë, sot është më OK, por sot është e shtunë, normalisht që nuk ka shumë qarkullim. S’ka…Këtu zgjidhja e vetme është ose nënkalim ose mbikalim. Përndryshe këto eksperimente nuk janë funksionale”, ka thënë Lumi nga Prishtina.

Një arsye tjetër, siç ka thënë banori i kryeqytetit, Bujar Hoxha, është shkaku që qytetarët janë mësuar me testimet, andaj edhe i kanë lënë veturat këtë të shtunë.

“E bëra krejt xhiron me makinë edhe nuk pashë kurrfarë problemi. Si duket njerëzit kanë filluar të mësohen pak se dje si duket nuk i kanë përdorur të dyja korsitë, ndërsa sot seriozisht po e shoh që shumë shpejt mund ta bësh një xhiro në qytet. Duhet të mësohemi që nuk duhemi të shkojmë edhe në lokale, edhe nëpër shtëpi me vetura”, ka thënë Hoxha.

Një qytetar tjetër, Martir Morina, ka thënë se testimi i së premtes ishte gabim, tek e ka krahasuar me të shtunën.

“Ideja është e mirë, por realizimi është i gabuar se s’kemi ende infrastrukturë të mjaftueshme për t’u realizuar kjo unazë. Rrugët nuk janë të organizuara mirë dhe dje ishte dita më e ngarkuar me vetura dhe është bërë në ditë të gabuar, besoj unë”, ka thënë Morina.

Testimi i qarkullimit njëkahor në unazën e qendrës së Prishtinës vazhdon edhe të dielën.