E diela, dita e fundit e testimit të qarkores njëkahore në kryeqytet, ka kaluar pa kolona të krijuara nga veturat në trafik. Disa qytetarë e kanë kritikuar eksperimentin e Komunës së Prishtinës, e disa e kanë vlerësuar si të nevojshme për rregullimin e komunikacionit në kryeqytet. Mirëpo të dy palët kanë kërkuar që testime të tjera të mos zhvillohen më.
Pa kolona dhe bori veturash ka kaluar dita e fundit e testimit të qarkores njëkahore në kryeqytet.
Në kuadër të këtij testimi, lëvizjet në të dyja drejtimet në rrugët “Luan Haradinaj”, “Agim Ramadani”, “Migjeni”, “Robert Doll” dhe “UÇK” u bllokuan që nga e premtja.
Ndërsa, në rrugët “George Bush” dhe “Garibaldi” veturave iu ndalua tërësisht qarkullimi.
Testin e Komunës së Prishtinës një qytetar e vlerësoi si të papërshtatshëm për trafikun e kryeqytetit. Ai kërkoi që të tilla testime të mos përsëriten më.
“Veç mundem me thënë se ‘llugë’ ka pasur këto tri ditë në Prishtinë. Llugë është bërë Prishtina me këtë eksperiment. Nuk e di kryetari çfarë idesh ka, mirëpo ne të gjithë kemi ide, por nuk i shfaqim për të krijuar tollovi”, ka thënë Petrit Dedaj, qytetar.
E, një qytetar tjetër e vlerësoi si të nevojshëm këtë testim për lirimin e mbingarkesës së trafikut rrugor.
“Shumë mirë, më pëlqen ideja që të lirohet pak qendra, të mos ketë kolona në qendër, të ketë hapësirë më shumë këmbësori në qytet”, ka thënë një tjetër qytetar.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se testimi i unazës së brendshme u ka mundësuar atyre të identifikojnë fytet e ngushta në rrugë.
Halil Halili, shef i task-forcës së komunikacionit, ka thënë se 15 ditë pas mbledhjes së të dhënave do t’ia dërgojnë rekomandime Komunës së Prishtinës, ashtu që të bëhen ndryshime infrastrukturore për ta rregulluar trafikun në unazën kryesore të kryeqytetit, që mundëson qarkullimin njëkahor, si dhe për ta zgjatur sheshin deri te Katedralja.