Tensionet e kanë karakterizuar mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të cilën u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve për kuvende komunale. Në të u përplasën verbalisht anëtari i Vetëvendosjes me atë të Listës Serbe.
Kriminele e terroriste e ka quajtur kolegen e tij serbe, Gordana Laban, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi.
Tensionet në mbledhjen e KQZ-së nisën kur anëtarët e Vetëvendosjes thanë se do të votojnë kundër shpalljes së rezultatit përfundimtar në komunën e Kllokotit, ku fitoi Lista Serbe, për të cilën thanë se është organizatë terroriste.
“Kulturën prej terroristeje dhe kriminele çfarë je dhe përfaqëson, këtu nuk mundesh me na e tregu zojë ty duhet të vijë marre kur na e përmend neve kulturën këtu, sepse e përfaqëson një subjekt që ka vrarë njerëz”, tha Krasniqi i VV-së.
“Jo, jo nuk kam përfunduar. Nuk mund të më quash kriminele e terroriste. Nuk jam terroriste. Unë përfaqësoj gjithë popullin serb të Kosovës, edhe pse Lista Serbe më ka propozuar për këtu”, u përgjigj Labani.
“Nëse je përfaqësuese e Listës Serbe, je përfaqësuese e Listës Serbe atëherë je përfaqësuese e një organizate kriminale e terroriste, pikë”, tha pas kësaj, Kraniqi.
Përveç për garën e balotazhit, anëtarët e Vetëvendosjes votuan kundër edhe për rezultatet për kuvendet komunale, në të cilat ka fituar Lista Serbe.
Por anëtar i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, tha Vetëvendosje votoi kësisoj, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, të shpallura për 28 dhjetor.
“Ne kemi certifikuar rundin e parë të zgjedhjeve dhe i kemi certifikuar edhe katër komunat në veri të Mitrovicës së bashku me të gjithë kolegët këtu, përfshirë edhe votën e kolegëve nga LVV-ja... kjo përpjekja mbasi jemi hy në fushatë me u mundu që me paraqit kush po voton andej e kush këndej nuk qëndron”, deklaroi Gashi.
Me gjithë diskutimet e tensionet që e shoqëruan mbledhjen, KQZ-ja certifikoi rezultatet për 37 kuvendet komunale dhe i shpalli rezultatet përfundimtare për 18 komunat në të cilat u zhvillua rundi i dytë për kryetarë komunash.
I pacertifikuar mbeti rezultati për Komunën e Istogut, pas vendimit të Gjykatës Supreme për rinumërim të disa vendvotimeve.